Barcelona në ndjekje të trofeut të 6
Te Barcelona po përmendet gjithnjë e më tepër një fjalë, “Sextete”, shqip mund të përkthehet gjashtëshja, ose fitimi i 6 trofeve në një vit kalendarik...

Skuadra e Luis Enriques e mbajti gjallë ëndrrën, me triumfin në Superkupën e UEFA-s ndaj Sevillas dhe tani synon të hedhë njërën dorë drejt trofeut të pestë, Superkupës së Spanjës në përballjen e parë ndaj Athletic Bilbaos në San Mames.
Sfida që do të nis në orën 22:00 pritet të jetë mjaft e rivalizuar. Basket që u mposhtën 3-1 në finalen e Kupës së Mbretit nga katalanasit në Majin e kaluar kanë një mundësi të mirë për revansh duke qenë se Barca luftoi për 120 minuta vetëm pak ditë më parë, në Tbilisi.
Dy skuadrat kanë dicka të përbashkët, Barca nuk mund të bëjë merkato në kuptimin e aktivizimit të lojtarëve me të cilët mund të nënshkruajë si pasojë e ndëshkimit të FIFA-s, ndërsa është interesant fakti se përgjatë një vere ku lumenj parash janë shpenzuar në Europë për të formatuar skuadrat, Athletic Bilbao e Ernesto Vallverdes, ende nuk ka shpenzuar apo fituar një Euro të vetme për ndonjë lojtar, padyshim si pasojë edhe politikës 117 vjecare të klubit për të hedhur në fushë vetëm lojtarë baskë, dicka pothuajse e paimagjinueshme kjo në futbollin e ditëve të sotme.
