Maqedoni

Gradec: Gurthemeli për ndërtimin e sallës së sportit

14.08.2015 16:42

Me një aktivitet që u organizua me rastin e 14 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit...

Me një aktivitet që u organizua me rastin e 14 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, sot në shkollën fillore Mehmet Deralla të fshatit Gradec të Komunës së Vrapçishtit u hodh gurthemeli për ndërtimin e sallës së sportit. Investimi kap vlerën e mbi 500 mijë eurove, ndërsa ndërtimi i tërësishëm i sallës është paraparë të përfundojë brenda gjashtë muajve.
 
Nikoqiri, kryetari i komunës së Vrapçishtit Bajram Kadria pasi përshëndeti dhe falënderoi investimin nga ana e Ministrisë së Arsimit, shpalosi se në periudhën e ardhshme do të ndërtohen edhe dy salla tjera sportive, një Vrapçisht dhe në Dobërdoll.
 
Ministri Abdilaqim Ademi, theksoi se Ministria e Arsimit, përveç ndërtimit të sallës së sportit, në bashkëpunim me Komunën e Vrapçishtit, ka ndarë fonde edhe për ndërrimin e kulmit të shkollës së vjetër të këtij fshati.
 
Ndërkaq, zëvendëskryeministri Musa Xhaferri theksoi se fillimi i ndërtimit të kësaj salle është dëshmi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë vazhdon me realizimin e projekteve të sferave të ndryshme që ka për qëllim krijimin e kushteve më të mira për qytetarët.
 
Salla e re është paraparë që përveç hapësirës për aktivitete sportive të ketë edhe një Tribunë anësore, gardërobë dhe hapësira për aktivitete të tjera, ndërsa do të jetë e pajisur me mjetet më moderne sportive.
 
Në këtë aktivitet që u organizua me rastin e 14 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit morën pjesë edhe zëvendëskryeministri Fatmir Besimi, ministri i Drejtësisë Adnan Jashari, ai i Ekologjisë, Nurhan Izairi, i pushtetit lokal, Lirim Shabani, deputetë, drejtorë, dhe funksionar tjerë të pushtetit lokal dhe atij qendror. 
 
LULZIM HAZIRI