Maqedoni

Reagim i BDI-së: Analistët dhe opozita vlerësime të pa qëndrueshme

14.08.2015 18:11

Duke reaguar ndaj qëndrimeve të analistëve dhe subjekteve opozitare BDI thekson se Marrëveshja e Ohrit...

Duke reaguar ndaj qëndrimeve të analistëve dhe subjekteve opozitare BDI thekson se Marrëveshja e Ohrit deri më tani i ka dhënë rezultatet e veta pozitive në shumë sfera të veprimtarisë shoqërore, politike, ekonomike, sociale  e kulturore, jo vetëm se në favor të shqiptarëve, por edhe të të gjithë shoqërisë në Republikës e Maqedonisë.

Disa analistë dhe subjektet e vogla politike shqiptare, mos të harrojnë se Marrëveshja e Ohrit ndryshoi rrënjësisht Kushtetutën e Maqedonisë, inkuadroi mijëra shqiptarë nëpër të gjitha sferat e administratës shtetërore, në ushtri dhe polici, madje edhe atje ku më herët as që mund të imagjinohej se mund të shkelë këmba e shqiptarit.

Përmes Marrëveshje së Ohrit, u arrit e drejta e përdorimit të simboleve kombëtare, e drejta e shkollimit sipëror, u avancua përdorimi i gjuhës, dhe një sërë mundësish të tjera të cilat askush nuk mund t’i hedh poshtë, vlerësojnë nga BDI.  

Sipas integristëve Marrëveshja e Ohrit, duke qenë një materie e gjallë dhe me mekanizma të shumtë të veprimit, natyrisht se në disa segmente ka shënuar ngecje të vogla, për të cilat kanë folur hapur deri më tani edhe reprezentët më të lartë politikë të BDI-së.

BDI edhe njëherë inkurajon debatin e hapur dhe demokratik që po zhvillohet kohën e fundit te ne, por vlerëson se ai debat nuk është i shëndetshëm për shoqërinë tonë, nëse bëhet me tendenca negative dhe qëllime të ulëta të individëve të caktuar, të cilët përmes sulmeve ndaj një subjekti të fuqishëm politik, siç është BDI, tentojnë të faktorizojnë veten e tyre, thuhet në komunikatën e BDI-së.

SHPËTIM NUREDINI