BRUKSEL

Eurozona miratoi planin e ndihmës për Greqinë

15.08.2015 15:42

Ministrat e Financave të Eurozonës miratuan planin e ri të ndihmës financiare për Greqinë...

Menjëherë pas miratimit, presidenti i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker tha se votimi dërgoi një mesazh të qartë: Greqia do të vijojë të jetë pjesë e Zonës Euro.

Marrëveshja e re përmban rritje të taksave dhe reduktime të mëtejshme të shpenzimeve, për t’i mundësuar shtetit helen paketën e tretë të ndihmës në 5 vite. Pas bisedimeve që zgjatën për 6 orë mes kryefinancierëve të Eurogrupit, tashmë Greqisë do t’i disbursohet huaja prej 86 miliard eurove, brenda tre viteve të ardhshme.

Pjesa e parë e paketës së ndihmës do të përdoret për të paguar borxhet, ndërsa pjesa e dytë do të duhet të ndahet përgjysmë, 50% do të përdoret kundrejt borxhit dhe pjesa tjetër mund të investohet nga Greqia.

Deri më 20 gusht, Qeveria në Athinë do të duhet ti shlyejë kreditorit të saj më të madh, Bankës Qendrore Evropiane borxhin prej 3.2 miliard eurosh.