Vazhdon vala e azilkërkuesve
Vala e azilkërkuesve që transitojnë nëpër Maqedoni nuk ka të ndalur...

Deri tani, mbi 32 mijë migrant kanë deklaruar qëllimin e tyre për azil, në MPB.
Pjesa më e madhe e migrantëve, mbi 25 mijë, janë nga Siria, pastaj vijnë migrtantët nga Avganistani, Iraku, Pakistani, Somalia dhe Palestina.
Edhe pse transitojnë nëpër Maqedoni, migrantët kanë nevojë për ndihmën e autoriteteve dhe humanizmin e banorëve lokalë.
Vala e migrantëve vazhdon të jetë sfidë për banorët e rajonit të Kumanovës, posaçërisht në fshatrat afër pikës kufitare, edhe pse të shumtën e rasteve migrantët kërkojnë vetëm ujë për pije, ose ujë për të larë foshnjat dhe fëmijët.
“Kërkojnë ujë. Ja këta vijnë për herë të parë dhe kërkuan ujë për të larë beben. I dhamë ujë dhe e lau beben aty jashtë. U ndihmojmë sa mundemi. I shohim me fëmijë. Nesër mund të na ndodh edhe neve” – tha një banore.
Edhepse vetë bëjnë jetë arna-arna, banorët lokal përpiqen të ndihmojnë migrantët me atë që kanë.
Ndjehen të lënduar nga shtypi, i cili shpeshherë i ka akuzuar se po keqpërdorin migrantët duke ua shitur bukën me çmime maramendëse, edhe pse nuk përjashtojnë mundësinë që migrantët të jenë keqpërdorur nga matrapazët.
“U japim njerëzve për sevap. Si njerëz ndaj njerëzve. Ajo që më shumë na mundon është se thuhet se ne paskëshim qenë dhunues, se u kemi marrë para, se ua kemi faturuar sa s’bën nëse fëmijët kanë pirë një lëng oseë ujë. Ju e shihni se edhe Kryqi i Kuq nuk ia del që të ndihmojë të gjithë” – tha një banore tjetër.
Banorët e zonës kufitare Tabanoc, shpresojnë që sa më shpejtë të vendosen cezma dhe të meremetohen banjot në stacionin hekurudhor Tabanoc, që migrantët të mos detyrohen të kërkojnë ndihmë nëpër shtëpi private. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
