Shpërthim i para disa ditëve në Kinë, rritet në 112 numri i të vdekurve

16.08.2015 15:42

Është rritur në 112, numri i viktimave nga shpërthimet masive në portin kinez të Tianxhinit, ndërkohë që 95 persona, shumica e të cilëve zjarrfikës rezultojnë të zhdukur...

Poashtu më shumë se 720 persona mbeten të plagosur dhe të shtruar nëpër spitale, edhe 4 ditë pas fatkeqësisë së të mërkurës, e cila shkaktoi topa të zjarrtë në qiell, lanë mbeturina të shumta të djegura në një zonë industriale, shkatërroi vetura dhe konteinerë anijesh, rrënoi ndërtesa, si dhe theu xhamat e apartamenteve pranë vendit të ngjarjes.

Presidenti kinez dje udhëroi rritjen e kushteve të sigurisë. Poashtu u evakuan banorët përreth, duke i dërguar në një shkollë pranë vendit të shpërthimit gjatë së shtunës, pasi ndryshimi i drejtimit të erës shtoi frikën se grimcat kimike toksike mund të jenë përhapur së tepërmi në tokën përreth.

Zyrtarët pranojnë praninë e lëndëve toksike, por thonë se ato nuk përbëjnë rrezik për njerëzit jashtë periferisë së zonës së evakuimit.

Rreth 6300 persona janë zhvendosur nga vendi i shpërthimit, ndërkohë që valët e tij janë ndierë edhe në disa blloqe apartamentesh në qytetin e 15 milionë banorëve, disa km më tej.