Grupi punues, nesër, vazhdon punimet

Shkelen afatet, kontradikta për shumë çështje

16.08.2015 16:13

VMRO DPMNE nuk e ka me ngut arritjen e marrëveshjes për prokurorin special...

Edhe pse, sipas Marrëveshjes së dy qershorit, prokurori special duhet të zgjidhet deri më 15 shtator, ndërsa kjo dhe çështjet e tjera duhet t’i kalojnë procedurat parlamentare, anëtari i grupit nga VMRO DPMNE, Nikolla Todorov thotë se sipas Marrëveshjes afati për të dakorduar prokurorin special është deri më 15 shtator.

Ai shpërfill edhe kërkesën e opozitës maqedonase, e cila kërkon që kjo çështje të dakordohet para një shtatorit, që të mund t’i kthejë deputetët e saj në Kuvend, më një shtator.

“Në harmoni me marrëveshjen afati është deri më 15 shtator. Do të vazhdojmë me bisedimet në drejtim të zbatimit të asaj që është në marrëveshje. Ky është qëllimi ynë dhe do të insistojmë në këtë” – tha Nikolla Todorov nga VMRO-DPMNE.

Në takimin e nesërm të grupit punues, ku do të shqyrtohen edhe cështje që kanë të bëjnë me Kodin Zgjedhor, nuk janë ftuar anëtarët e KSHZ-së. Sic duket grupi do të diskutojë vërrejtjet dhe rekomandimet që anëtarët e KSHZ-së i kanë shpalosur në takimin e fundit.

“Ne si KSHZ nuk jemi të ftuar që të jemi pjesë e bisedimeve. Ne si KSHZ kemi patur takim me këtë grup punues, ku i thamë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me pastrimin e Listës Zgjedhore, çështjen e kopetencave të KSHZ-së, që të ketë kopetenca të plota; njëkohesisht, prezentuam edhe atë se çka me votimin në diasporë dhe njëkohësisht prezentuam edhe çështjen e vendosjes në bazë të kundërshtimeve” – deklaroi nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.

Sa i përket votimit në diasporë, anëtarët shqiptarë të KSHZ-së janë shprehur kundër. Pro votimit në diasporë është vetën VMRO DPMNE, e cila në dy cikle zgjedhore ia ka dalë të sigurojë të tre mandatetet nga diaspora.   

“Ne si shqiptarë që prezentojmë partitë shqiptare apo si shqiptarë që jemi në KSHZ, mendojmë që në të ardhmen është mirë që të mos realizohet votimi në diasporë, meqë kemi një votim i cili na tregoi se nuk është efikas dhe me harxhime të mëdha” – tha nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.

Grupi punues, vec më ka filluar të shkelë afatet e përcaktuara më marrëveshjen e dy qershorit dhe protokollin e 15 qershorit.

Sipas marrëveshjes deri më 31 korrik, grupi duheshte të ketë shqyrtuar dhe modifikuar përbërjen e KSHZ-së, ndërsa deri në periudhën qershor - gusht duhej të dakordohen reformat strukturore nga kapitulli 23 dhe 24, që kanë të bjënë me pavarësimin e trupave relevant shtetëror, pavarësinë e mdias dhe zbatimin e plotë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias. (Shpëtim Nuredini, TVM2)