Atletikë, botërori 2011 “njolloset” nga hijet e dopingut
Rreth 1/3 e atletëve që morën pjesë në Botërorin e Daevu ishin të dopuar...

Këtë të dhënë shokuese e publikon “Sunday Times” që thekson se Agjencia Ndërkombëtare Antidoping pas një kontrolli të bërë në zyrat e Federatës Ndërkombëtare të Atletikës ka dalë në këtë përfundim. Sipas studimit të kryer nga Universiteti i Tubingës në Gjermani, shumë atletë e kanë pranuar përdorimin e substancave të ndaluara rreth 12 muaj përpara botërorit që u zhvillua në vitin 2011 në Korenë e Jugut. “Federata Ndërkombëtare ka vonuar publikimin e analizave pa asnjë arsye.
Kjo gjë është nxitur nga WADA dhe federata që kanë të drejtë vetoje për të mos publikuar të dhënat e analizave të atletëve”, shkruan “Sunday Times”.
Ky detaj i shtohet një tjetër denoncimi që tabloidi britanik bëri përpara disa ditësh, publikoi një shkrim ku bënte me dije se përdorimi i substancave të ndaluara në atletikë tashmë është bërë rutinë. Sipas të dhënave, një e treta e medaljeve te viteve 2001-2012 janë fituar nga atletë me të dhëna të dyshimta.
Aktualisht, teknikat më të ndjekura nga sportistët për të injektuar doping në trupin e tyre janë transfuzioni i gjakut por edhe marrja e dozave të vogla të përbërësit EPO.
