Greqi, përleshje mes emigrantëve në Ishullin Kos

16.08.2015 20:26

Një grup prej 50 azilantësh aziatikë janë përleshur sot mes tyre në ishullin grek të Kos...

Shkak është bërë pritja e gjatë në rradhë për regjistrim në zyrat pritëse të emigrantëve, ndërsa protagonistë kanë qenë shtetas sirianë, afganistanë, pakistanezë dhe iranianë.

Ata janë qëlluar mes tyre me gurë dhe grushta në praninë e policisë greke, e cila në këtë rast ka qenë vetëm spektator.

Qindra emigrantë aziatike po qëndronin në afërsi të stacionit të policisë kur shpërtheu përleshja. Mësohet se autoritetet greke janë duke i dhënë prioritet regjistrimit të sirianëve, të cilët trajtohen si refugjatë për shkak se ata po i ikin luftës civile në vendin e tyre dhe për këtë arsye kanë më shumë të drejta në bazë të drejtës ndërkombëtare sesa emigrantët ekonomikë.

Rreth 250 mijë  emigrantë aziatikë kanë kaluar Mesdheun gjatë këtij viti, numër ky që pritet të rritet edhe më tej gjatë javëve të ardhshme, për shkak të vazhdimit të konfliktit në vendet e lartëpërmendura.