Tenis
Nis Mastersi i Cincinnatit, të gjithë në ndjekje të Federer
18.08.2015 13:00
Nga Novak Djokovic e deri te Andy Murray, Stanislas Wawrinka e Rafael Nadal, të gjithë në ndjekje të Roger Federer në Mastersin e Cincinnatit...

Vetëm pak orë pas përfundimit të Rogers Cup në Ohio të Shteteve të Bashkuara të Amerikës këtë të Hënë nisi turneu i dytë Masters i muajit Gusht edhe pse shumë nga emrat e mëdhenj nuk zbritën në fushë pasi janë kualifikuar automatikisht në raundin e dytë.
Novak Djokovic, numri 1 i Botës, këtë vit në Cincinnati do të synojë të fitojë trofeun e tij të parë dhe mbi të gjitha do të kërkojë të thyejë hegjemoninë e vendosur nga Federer, i cili numëron 6 suksese në këtë turne dhe është kampioni në fuqi.
2 tenistët e tjerë që kanë triumfuar më parë dhe që marrin pjesë edhe këtë vit në Mastersin e Cincinnatit janë Andy Murray me 2 suksese dhe Rafael Nadal me një të tillë.
Në ditën e parë surprizën e vërtetë e dhuroi Gael Monflis, i cili u eliminua në 2 sete nga Jerzi Janowicz.
Tenisti polak pasi fitoi setin e parë me shifrat 6-4 triumfoi edhe në të dytin 7-5 duke mbyllur llogaritë me kundërshtarin e tij francez në 1 orë e 18 minuta lojë.
E hëna nuk ishte dita e tenistëve francezë pasi edhe Gilles Simon u eliminua teksa u mund në 3 sete nga shtatlarti kroat Ivo Karlovic.
Një biletë në raundin e dytë e siguroi edhe tenisti me origjinë greke por që përfaqëson australinë Thanasis Kokkinakis, i cili nxorri jashtë turneut italianin Fabio Fognini të cilin e mposhti 2-1 me sete.
U kualifikuan për më tej edhe Jack Sock, Benoit Paire, Andreas Seppi dhe Vasek Pospisil.
Në kategorinë e femrave e pati të thjeshtë motra e madhe e familjes Williams, Venus që kaloi në 2 sete kazaken Diyas.
Surprizat e vërteta i dhuruan Timea Bazcinzky dhe nënkampionia e Wimbledon spanjollja Garbine Muguruza që u eliminuan respektivisht nga Madison Keys dhe Yaroslava Shvedova.
