“Prokurori special”, në tryezën e bisedimeve
Zgjedhja e prokurorit special dhe kopetencat e tij do të jetë çështja kryesore për të cilën do të diskutojnë anëtarët e grupit punues, në takimin e paralajmëruar për në ora 20:00...

Çështja e Prokurorit special është diskutuar edhe në takimin e parë të grupit, ku ekspertit irlandez, Xhejms Hamilton, ka propozuar modelin irlandez dhe atë amerikan për zgjedhjen e prokurorit.
Veç shqyrtimit të këtyre propozimeve partitë politike do të hedhin të tavolinë edhe propozimet e tyre. VMRO DPMNE vlerëson se çështja e prokurorit special mund të zgjidhet në kuadër të Ligjit ekzistues për prokuror publik, pasi ligji mundëson formimin e njësive speciale për ndjekjen dhe zbulimin e krimit të organizuar, mirëpo opozita maqedonase vlerson se puna e prokurorit special duhet të rregullohet me ligj të posaçëm, pasi vetëm kështu prokurori special do të jetë i pavarur, me autonomi të plotë.
Në takim, duhet të diskutohen edhe kopetencat e prokurorit special për procesimin e materialeve nga përgjimi në masë, por edhe për procesin hetimor “Puç”, ku i akuzuari kryesor është kreu i opozitës Zoran Zaev.
Prokurori special duhet të zgjidhet më së voni deri më 15 shtator. Të paktën ky është afati i paraparë në protokollin e marrëveshjes së dy qershorit.
Përveç mënyrës së zgjedhjes dhe kopetencave të prokurorit special, një çështje tjetër e vështirë për kompromis do të jetë vetë kandidati për prokuror, i cili duhet të merr pëlqimin e të katër subjekteve politike të përfshira në bisedime.
Nëse partitë politike nuk ia dalin të dakordohen për kandidatin, atëherë nuk përjashtohet mundësia që kandidatin ta propozojnë ndëmjetësuesit, përkatësisht SHBA-të dhe BE-ja.
Takimet e grupit punues, zakonisht, mbahen pas dyerve të mbyllura në Klubin e Deputetëve. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
