Tenis
Fitore e lehtë për Federer në Cincinnati
19.08.2015 10:59
Roger Federer e nisi me një fitore të thjeshtë mbrojtjen e titullit në Cincinnati por në ditën e dytë të Mastersit amerikan...
Roger Federer e nisi me një fitore të thjeshtë mbrojtjen e titullit në Cincinnati por në ditën e dytë të Mastersit amerikan nuk munguan as surprizat me Milos Raonic e Jo Wilfried Tsongan që i dhanë lamtumirën turneut.
6 herë fituesi i Mastersit të Cincinnatit, zvicerani Roger Federer, i cili të Hënën që sapo lamë pas zbriti nga vendi i dytë në të tretin në klasifikimin e përgjithshëm Botëror, e pati thjeshtë një shëtitje sfidën e vlefshme për raundin e dytë përballë spanjollit Roberto Bautista Agut.
33-vjecari helvet triumfoi në 2 sete ndaj kundërshtarit të tij me të njëjtat shifra 6-4 në një ndeshje që zgjati 1 orë e 11 minuta lojë duke siguruar një biletë për në raundin e tretë.
Nuk zhgënjeu as Thomas Berdych. Numri 6 i Botës kaloi pa shumë probleme 2-0 me sete brazilian Thomaz Belluci.
Vetëm 5 game lëshoi në total tenisti cek duke mbyllur llogaritë me kundërshtarin e tij në 1 orë 22 minuta lojë. Ashtu si Federer edhe Berdych tashmë e sheh veten në raundin e tretë.
Në ditën e dytë të Mastersit të Cincinnatit u zhvilluan edhe disa sfida të vlefshme për raundin e parë ku nuk munguan surprizat. Jo Wilfried Tsonga nuk arriti të avanconte më tej pasi u mund në 3 sete nga spanjolli Fernando Verdasco. U eliminua nga turneu edhe kanadezi Milos Raonic.
Numri 10 i Botës humbi 2-0 me sete me shifrat 6-7, 4-6 përballë një tjetër spanjolli pikërisht kundër Feliziano Lopez.
U kualifikua lehtësisht për më tej Richard Gasquet që kaloi pa më të voglin problem australianin Nick Kyrgios, ndërsa një biletë në raundin e tretë e siguruan edhe Grigor Dimitrov e Marin Cilic.
Në kategorinë e femrave Agnieszka Radwanska i dha lamtumirën turneut. Tenistja polake u eliminua nga sllovakja Anna Carolina Schmiedlova në raundin hapës të Mastersit amerikan.
Vijon forma fantastike e Belinda Bencic. Adoleshntja zvicerane pasi triumfoi në Rogers Cup e nisi me një sukses të pastër edhe turneun e Cincinnatit duke eliminuar në 2 sete gjermane Angelique Kerber.