Botë

Greqi: Refugjatët jetojnë në kushte çnjerëzore

19.08.2015 12:14

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët bën me dije se 160 000 emigrantë kanë vërshuar drejt ishujve greke këtë vit deri më 15 gusht...

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët bën me dije se 160 000 emigrantë kanë vërshuar drejt ishujve greke këtë vit deri më 15 gusht, apelon ndaj qeverisë greke të marrë përgjegjësinë për organizimin dhe pritjen e tyre, në mënyrë që të bëjë të mundur edhe ndihmën humanitare të organizatave ndërkombëtare.
 
Vetëm në muajin korrik mbërritën në Greqi 52 mijë emigrantë, 21 mijë prej të cilëve brenda javës së fundit, kur gjithë vitin e kaluar numri i refugjatëve që mbërritën nga brigjet turke ishte 43.500.
 
Më shumë se 4000 emigrantë sirianë ndodhen në ishullin grek të Mytilinit. Në qendër të ishullit, çdo lulishte dhe plazh publik është kthyer në kamping për emigrantët. Është e pamundur të ushqehen të gjithë dhe as që bëhet fjalë për gjetjen e një vendi ku ata të strehohen.
 
Emigrantët lahen në dushet me ujë të ftohtë të vendosura në plazhet e ishullit, pa kushte normale higjienosanitare.
 
Spitali rajonal është në limitet e tij për përballimin e rasteve të urgjencës. Nga ana tjetër, në zonë ka mbërritur me shpejtësi një ekip i policisë, për të hetuar nëse midis emigrantëve ndodhen edhe eksponentë të dyshuar si xhihadistë.
 
Vetë emigrantët u kanë thënë autoriteteve se, për kalimin e tyre në bregun grek, ata u paguajnë trafikantëve 800-3000 euro.
 
Policia greke thotë se mijëra prej të mbërriturve në Greqi, menjëherë i drejtohen kufirit maqedonas, shqiptar ose bullgar, për të vazhduar udhëtimin e tyre drejt Europës.
 
Shumë prej emigrantëve fshihen në karroceritë e kamionëve dhe bagazhet e autobusëve, për të kaluar në vendet fqinje, shpesh herë të ndihmuar prej trafikantëve ballkanas të klandestinëve. 
 
Sipas Agjencisë së Survejimit të Kufijve të Jashtëm të BE-së, Frontex, vetëm në korrik, mbi 107 mijë e 500 refugjatë, tre herë më tepër se i njëjti muaj i vitit të kaluar, kanë mbërritur në kufijtë e Europës, ndërsa gjatë këtij viti, nga janari deri në gusht, numri i përgjithshëm i tyre ka arritur në 340 mijë.
 
BELINDA KOKA-ADEMI