Botë

Turqi: Davutoglu ia kthen mandatin presidentit Erdogan

19.08.2015 12:20

Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, i ka rikthyer zyrtarisht mandatin Presidentit Tayip Erdogan...

Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, i ka rikthyer zyrtarisht mandatin Presidentit Tayip Erdogan, prej të cilit e mori pak kohë pas zgjedhjeve të përgjithshme për formimin e qeverisë së re, për shkak se dështoi përfundimisht ta krijonte atë, si pasojë e ngecjes së negociatave me partitë e vogla për krijim koalicioni.
 
Presidenca turke e ka bërë të ditur zyrtarisht këtë hap përmes një deklarate, duke konfirmuar faktin që partia më e madhe e dalë prej zgjedhjeve, AK, e themeluar nga vetë Presidenti Erdogan dhe në pushtet prej shumë vitesh, nuk mundi të gjente një partner koalicioni për krijimin e qeverisë së re.
 
Ky fakt mund të detyrojë tashmë Erdoganin t’ia japë mandatin partisë së dytë më të madhe në Parlament, laikëve të CHP-së, edhe pse dihet normalisht që edhe kjo parti nuk do të mundet të formojë një qeveri të re në Turqi.
 
Gjithsesi, pavarësisht përpjekjeve, nëse qeveria e re turke nuk do të formohet brenda 23 gushtit, Erdogan do të detyrohet të shpërndajë administratën në detyrë të Davutoglusë dhe do të krijojë një qeveri të përkohshme me pushtet të ndarë mes pozitës dhe opozitës, e cila do ta udhëheqë Turqinë drejt zgjedhjeve të reja në vjeshtë.