Futboll
Skënderbeu luan për ëndrrën Champions League
19.08.2015 12:22
Sonte, Skënderbeu ka rastin të shkruajë historinë. Kampionët e Shqipërisë do të presin në “Elbasan Arena” Dinamon e Zagrebit...

Sonte, Skënderbeu ka rastin të shkruajë historinë. Kampionët e Shqipërisë do të presin në “Elbasan Arena” Dinamon e Zagrebit, në një duel 180- minutësh, ku do të synojnë të bëjnë një mrekulli, edhe pse një gjysmë të tillë e kanë bërë tashmë, duke siguruar fazën e grupeve të Ligës së Europës, pasi në rast skualifikimi do të jenë protagonistë në turneun e Kupës së “vogël” të kontinentit, Europa League.
Por, të marrësh pjesë në Champions, është një tjetër gjë, është një ëndërr që nëse bëhet realitet, do t’i shndërronte “ujqërit” korçarë në një legjendë të gjallë.
Dhe për të luftuar për këtë objektiv madhështor, ata do të kenë me vete jo vetëm tifozët e tyre, jo vetëm të pranishmit në stadium, por një komb të tërë, i cili, ashtu sikurse ëndërron që të shohë Kombëtaren shqiptare në Europianin “Francë 2016″, kërkon të krenohet edhe me kampionët shqiptar, të cilët mund të kenë shansin që të testojnë forcën e tyre me 31 skuadrat e tjera më të forta të Europës.
Edhe pse misioni nuk është nga ata më të lehtit, për disa ndoshta edhe i pamundur, Skënderbeu duhet të besojë, duhet të luftojë, sepse shembuj për t’u frymëzuar, të paktën në dekadën e fundit, ka plot.
Ndryshe, Dinamo ka arritur në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve në sezonin 2012-’13, por vitin e ardhshëm u eliminua në raundin “play-off” nga Austria e Vjenës.
Nga ana tjetër, Skënderbeu ndodhet për herë të parë në raundin “play-off” të Champions-it, duke hyrë në historinë e futbollit të klubeve shqiptare, pasi bëhen klubi i parë shqiptar duke siguruar një fazë kaq të madhe në veprimtaritë europiane.
Ndeshja historike mes Skënderbeut dhe Dinamo Zagrebit, do të luhet me fillim në orën 20 e 45, në Elbasan Arena dhe do të drejtohet nga gjyqtari rus, Sergei Karasev.
