Kriza Greke: Bundestagu i ratifikon dorëzaninë e 3-të Athinës
Bundestagu gjerman, votoi me 454 vota pro, 113 kundër dhe 18 abstenim, në favor të dorëzanisë së tretë për Greqinë...

Bundestagu gjerman , votoi me 454 vota pro, 113 kundër dhe 18 abstenim, në favor të dorëzanisë së tretë për Greqinë, edhe pse Angela Merkel nuk e kaloi pa vështirësi këtë sprovë.
Tema në fjalë e vendosi Kancelaren gjermane përballë një rebelimi brenda radhëve të vetë partisë së saj. Ndonëse një shumicë e qartë është prononcuar në favor të paketës 86 miliardë euroshe për shtetin grek, nuk kanë qenë të paktë ligjvënësit konservatorë që kanë votuar kundër.
Mbështetje për dorëzaninë kanë dhënë edhe parti të tjera në sallën e Parlamentit, përfshirë edhe partnerin më të vogël të koalicionit qeverisës, Partinë Social-Demokrate, si dhe “të Gjelbrit” në opozitë.
56 nga 311 deputetë konservatorë u shprehën kundër ndihmës për Greqinë, ndërsa 4 ligjvënës abstenuan. Kancelarja Merkel tha se pavarësisht dallimeve brenda BE-së, ndan bindjen se Fondi Monetar Ndërkombëtar do të marrë pjesë në dorëzaninë e tretë për Athinën.
Përfshirjen e FMN-së, një pjesë e mirë e konservatorëve gjermanë e shohin si të domosdoshme për të garantuar se, reformat e premtuara prej grekëve do të vihen në jetë vërtet.
Për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, ligjvënësit në Spanjë, Estoni dhe Austri votuan të hënën.
