KËRKESA PËR 1 NJËSI ZGJEDHORE

Kadriu: Përfitojnë partitë e vogla

19.08.2015 14:50

Shkrirja e gjashtë njësive zgjedhore në një, nuk do të bënte ndonjë dallim të madh për bllokun politik shqiptarë në shtimin e numrit të deputetëve në kuvendin e Maqedonisë...

Me një njësi zgjedhore do të përfitonin partitë e vogla deri në dy deputetë në llogari të partive të mëdha, vlerëson njohësi I çështjeve juridike Bekim Kadriu.
 
Kështu sipas Kadriut do të kishte një përfaqësim më të mirë edhe të subjekteve të vogla politike në parlament, siç është rasti me  parlamentin e  Kosovës.
 
“Në bazë të disa analizave që u bënë në zgjedhjet e fundit, sikur Maqedonia të ishte një njësi zgjedhore atëherë numri i deputetë shqiptarë nuk do të dallonte shumë në atë drejtim nëse flasim në aspekt kombëtar. Mirpo për partitë e vogla, shkrirja e gjashtë njësive në një është mundësi më e mirë për përfaqësi për shkak se vota e tyre që do të jetë e ndarë në më shumë njësi zgjedhore tani do të bashkohet dhe eventualisht ato do të kenë përfaqësues në kuvendin e RM-së”, shprehet eksperti juridik Bekim Kadriu.
 
Sipas Kadriut, ndryshimi eventual i modelit zgjedhor përfshi këtu edhe heqjen e pragut prej 3% do të merej me shumë rezerva në rend të parë nga VMRO – DPMNE –ja. Partia e Gruevskit rrezikon të humbë fuqinë apsolute në vendimarrje.
 
“Përfaqësimi i partive më të vogla politike shqiptare dhe maqedone në kuvend e dëmton edhe partinë më të madhe maqedone, është VMRO-ja dhe kjo  i’a dobëson forcën që ka VMRO – DPMNE në kuvendin e RM-së”, shprehet eksperti juridik Bekim Kadriu.
 
Përderisa grupet e punës me dyer të mbyllura po bisedojnë për ndryshimet në kodin zgjedhor, partitë e vogla kërkojnë që gjashtë njësitë zgjedhore të shkrihen në një, të ketë lista të hapura të votimit si dhe të hiqet pragu prej 3% në grumbullimin e votave për marrjen e mandatit të deputetit.
 
Kërkesa është dërguar edhe eurokomisarit Johanes Hahn. Nga ai pritet që të përkrahë jetësimin e këtyre kërkesave në kuadër të bisedimeve që po zhvillojnë grupet e punës.
 
MERAL ISMAILI