Botë

Stamboll, shpërthim dhe të shtëna në pallatin dolmabahçe

19.08.2015 15:54

Të shtëna me armë zjarri dhe një shpërthim i fuqishëm, kanë tronditur turistët dhe banorët e Stambollit...

Gjithcka ka ndodhur në hyrje të pallatit Dolmabahçe, një ndërtesë e periudhës së Perandorisë Osmane, tepër e frekuentuar nga turistët.
 
Në këtë pallat gjendet edhe zyra e kryeministrit të Turqisë, Davutoglu, që frekuentohet kur kryeministri nuk ndodhet si zakonisht në ndërtesën e kryeministrisë në Ankara.
 
Ambulancat janë dërguar me urgjencë në zonën në fjalë, ndërkohë që janë bllokuar të gjitha rrugët që të shpien në vendin turistik dhe policia ka nisur menjëherë aksionin për të neutralizuar autorin apo autorët e ngjarjes.
 
Policia deklaron se bëhet fjalë për një sulm me armë zjarri, pavarësisht raportimeve të dëshmitarëve për një shpërthim, por deri tani nuk ka viktima, përveç një polici të plagosur.
 
Dy persona raportohen të jenë arrestuar në afërsi të hyrjes së Konsullatës së Gjermanisë në Stamboll. 
 
Të shtënat dhe shpërthimi u dëgjuan  në të njëjtën kohë, kur Presidenti Erdogan ishte duke mbajtur një fjalim për të paralajmëruar popullin turk  se vendi  po shkon drejt  zgjedhjeve të reja, për shkak se nuk është mundur të krijohet qeveria e re.
 
Ngërçi i pazgjidhur nga partitë politike, me në krye partinë AK të themeluar prej tij, por edhe partive më të vogla parlamentare që nuk kanë pranuar të formojnë koalicion me të, pritet të zgjidhet me “dëshirën e popullit”, ka thënë Erdogan.