Maqedoni

Grupi punues, përafrohen qëndrimet rreth listës zgjedhore

19.08.2015 18:56

Pas disa ditë diskutime, palët në grupin punues kanë afruar qëndrimet rreth Listës zgjedhore dhe kopetencat e KSHZ-së...

Asnjë përafrim nuk ka sa i përket votimit të diasporës, çështje që nuk ka zënë edhe aq vend në bisedimet e këtyre ditëve.
 
Mirëpo, jozyrtarisht mësohet se palët sa herë që mendojnë se kanë afruar qëndrimet për një çështje të caktuar, krijojnë vakum për një çështje tjetër.
 
Në tryezën e sotme, fillimisht është prezantuar propozimi i asociacionit qytetar “Most” për regjistrim aktiv të votuesve, një propozim i përafërt me atë të opozitës maqedonase, e cila propozon regjistrim paraprak të zgjedhësve, pastrim të listës aktuale me metoda derë më derë dhe gjoba për qytetarët që nuk do të regjistrohen për votim.
 
“U ftuam që sot të bëjmë një prezentim të shkurtër lidhur me regjistrimin aktiv, disa specifika rreth regjistrimit aktiv. Koncepti i funksionimit është që menjëherë pas prezentimit e lëshojmë tryezën", tha Darko Aleksov.
 
Pas prezantimit, palët kanë shqyrtuar propozimin dhe me detaje rreth listës zgjedhore, pritet të dalin pas takimit të nesërm.
 
Burime nga brenda njoftojnë se çështje për diskutim është nëse regjistrimi paraprak duhet të jetë i obliguar për të gjithë dhe nëse do të ketë gjoba për qytetarët që nuk do të regjistrohen. 
 
Sa i përket votimit të diasporës, ende ekziston dallim i madh qëndrimesh mes palëve.
 
BDI kërkon heqjen e 3 deputetëve të diasporës, LSDM kërkon prag votash që duhet plotësuar për marrjen e mandatit, ndërkaq VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin që votimi në diasporë të mbetet edhe më tej.
 
SHPËTIM NUREDINI