Botë

Është bllokuar lëshimi nga burgu i Oskar Pistoriusit

19.08.2015 21:37

Ministria jugoafrikane e Drejtësisë e bllokoi lëshimin nga burgu të paraolimpikut Oskar Pistorius, që është paraparë për të premten...

Në kumtesën e Ministrisë thuhet se vendimi për lëshimin nga burgu të ish-yllit sportiv të Afrikës Jugore, që qelinë ta zëvendësojë me paraburgim shtëpiak ishte sjellë "parakohe dhe pa bazë ligjore".
 
Vendimi për atë, se sa gjatë Pistorius do të qëndrojë në burg në Pretoria, tani i është lënë trupit special për lëshim të kushtëzuar në liri.
 
Pistorius vitin e kaluar u dënua me pesë vjet burg, për vrasje të paqëllimshme të së dashurës së tij Reva Stenkamp.
 
Vrasja ndodhi në shkurt të vitit 2013, në vilën e tij në Pretoria, kur Pistorius ka shtënë katër herë nga arma e tij, nëpër derën e mbyllur të banjës, duke menduar se aty gjendej një hajdut, pa e ditur se aty në ndërkohë ka hyrë Stenkamp.
 
Prokuroria nuk e pranonte versionin e këtillë të ngjarjes tragjike dhe e akuzoi Pistoriusin se me qëllim e ka vrarë të dashurën e tij pas një grindjeje të zhurmshme, por gjykatësi në proces konkludoi se nuk ka dëshmi për vrasje të qëllimshme dhe e dënoi për vrasje të paqëllimshme.
 
Sipas ligjeve jugoafrikane, që një i dënuar të mund të lëshohet në liri me kusht, duhet të kalojë një të gjashtën e dënimit që i është shqiptuar. Pistorius në burg gjendet dhjetë muaj.
 
Prokuroria shtetërore njoftoi se do të parashtrojë ankesë ndaj aktvendimit, që duhet të shqyrtohet në nëntor./mia