Botë
Fluksi i emigrantëve, Gjermania kërkon zgjidhje urgjente
20.08.2015 11:57
Gjermania po përballet me një fluks të lartë emigrantësh që mbërrijnë në zemër të Europës nga vendet në luftë dhe të Ballkanit...

Ministria e Brendshëme gjermane thotë se shifra e emigrantëve pritet të arrijë në 800 mijë dhe jo 450 mijë sa ishin parashikimet e mëparshme.
Megjithatë Gjermania është kundër rikthimit të kontrolleve kufitare. Ministria e Brendshme gjermane publikoi shifrat për muajin që lamë pas duke nënvizuar se në total aplikuan për azil 37 531 emigrantë.
Në listën që kryesohet nga sirianët, që po i largohen konfliktit në shtëpi, shqiptarët vijnë të dytët, ndjekur nga serbët, afganët dhe irakianët. Shtetasit e Maqedonisë dhe të Kosovës, renditen përkatësisht në vendin e 6 dhe të shtatë.
Gjermania I bëri thirrje që BE të gjejë një zgjidhje, por përjashtonqë kjo zgjidhje të ishte përforcimi i kufijve.
“Ka ardhur koha të gjejmë zgjidhje të reja. Por ne nuk duam kontrollet kufitare. Ne jemi për lëvizjen e lirë, por nëse të tjerët nuk zbatojnë rregullat, atëherë duhet të përcaktojmë edhe njëherë se cfarë do të thotë lëvizja e lirë në BE. Prandaj qëllimi im nuk është të kërcënoj por të gjejmë një përgjigje europiane për të mbajtur të hapur kufijtë dhe duke mos rikthyer kontrollet në zonën Shengen”, thonë nga qeveria gjermane.
Kjo është vala më e madhe e klandestinëve që Gjermania ka pritur ndonjëherë, dhe OKB ka bërë thirrje që shtetet e tjera europiane të ndihmojnë qeverinë e Berlinit në përballimin e situatës.
VALIDE LIMANI
