Botë

Kriza Greke, Eurozona miraton 86 mld euro për Greqinë

20.08.2015 13:54

Prej mëngjesit të së enjtes, ditës që Greqia merr këstin e parë të paketës financiare që ka marrë dritën jeshile dje...

Prej mëngjesit të së enjtes, ditës që Greqia merr këstin e parë të paketës financiare që ka marrë dritën jeshile dje edhe nga Mekanizmi për Stabilitetin Europian, shumica e mediave greke, bëjnë me dije se është e mundur shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në vend.
 
Në orët e fundit, në zyrat politike dhe ato gazetareske kanë qarkulluar dy skenare kryesore. I pari që ditën e hënë Tsipras do të kërkojë votëbesimin e qeverisë në Parlament, ku me siguri rebelët e grupit të tij parlamentar nuk do t’ja japin dhe duke humbur në këtë mënyrë shumicën, ai do të dorëzojë mandatin tek presidenti dhe do të fillojë procedurat e zgjedhjeve të parakohshme. 
 
Skenari i dytë, është që Tsipras të dorëzojë mandatin direkt tek Presidenti duke dhënë dorëheqjen e qeverisë së tij. Problemi në këtë rast qëndron në faktin se një prej liderëve që do të marrë përkohësisht mandat për të krijuar qeverinë do të jetë qoftë edhe për disa orë, kreu i neonazistëve të Agimit të Artë, Nikos Mihaloliakos.
 
Pa dyshim që Tsipras në këtë iniciativë të guximshme politike do të marrë aprovimin edhe të kreditorëve, të cilët gjëja e fundit që duan në momentin kur fillon të rrjedhë ndihma prej 86 miliardë eurosh, është një Greqi e destabilizuar politikisht.
 
Por, nga ana tjetër, rebelët marksistë nuk lejojnë kryeministrin grek të aprovojë me shumicë votash ligjet e këtij memorandumi në Parlament, pra nuk e lejojnë të qeverisë vendin.
 
Ajo që të gjithë duan të mësojnë, nuk është fakti nëse do të kemi apo jo zgjedhje të parakohshme në Greqi, por ditën e saktë të zhvillimit të tyre në shtator, tetor apo në rastin më ekstrem në nëntor të këtij viti.
 
BELINDA KOKA ADEMI