Botë

Ndizet skena politike greke: Opozita kërkon qeverinë, në lojë edhe Agimi i Artë

21.08.2015 11:50

Skena politike greke “ka marrë zjarr” pasi kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka dhënë dorëheqjen bashkë me kabinetin e tij mbrëmjen e së enjtes...

Skena politike greke “ka marrë zjarr” pasi kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka dhënë dorëheqjen bashkë me kabinetin e tij mbrëmjen e së enjtes, një levizje taktike për të shkaktuar zgjedhje të parakohshme, nëpërmjet të cilave ai do të spastrojë gati një të tretën e grupit të tij parlamentar nga elementet marksistë që nuk e mbështesin më.
 
“Do doja të jepja dorëheqjen time dhe te qeverisë duke shprehur besimin se proceset kushtetuese do të vihen menjëherë në lëvizje që të shkojmë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe si gjithnje  te qyteteruar në zgjedhje, që populli grek mund të gjykoje se në çfarë mënyre vendi duhet të udhëhiqet shpejt dhe i sigurtë drejt daljes nga kriza”, shprehet kryeministri në dorëheqje i Greqisë, Aleksis Tsipras. 
 
Kundërshtarët opozitarë të kryeministrit Tsipras, lideri i konservatorëve  që numërojnë vetëm 76 deputetë dhe ai i partisë Lumi me 17 ligjvënës, kanë deklaruar njëri pas tjetrit se do të shfrytëzojnë mandatin treditor për të krijuar një kabinet të ri.
 
“Si udhëheqës i ardhshëm i partisë me shumicën më të madhe e konsideroj si detyrim dhe përgjegjësi politike të shfrytëzoj  të gjitha opsionet në rast se parlamenti i tanishëm mund të japë një zgjidhje”, shprehet kryetari i Demokracisë së Re, Evangelos Meimarakis.
 
Meimarakis  ka marrë mandatin dhe ka filluar bisedimet me partitë e tjera. Më pas pritet që mandati për formimin e qeverisë së re të shkoje tek lideri i partisë “Lumi”, si dhe tek udhëheqësi i neonazistëve, duke e bërë edhe më komplekse situatën politike në vend.
 
Në lojë kanë hyrë edhe elementët marksistë në gjirin e Radikalëve të Majtë. Sipas kancelares Merkel, dorëheqja e Tsipras është pjesë e zgjidhjes politike dhe jo e krizës ekonomike.
 
Kryeministri grek ka dhënë dorëheqjen pasi siguroi që Greqia të marrë nga kreditorët e saj këstin e parë nga paketa e ndihmës prej 86 miliardë euro.
 
Nga 26 miliardë euro të këtij kësti, 10 miliardë kanë shkuar për rikapitalizimin e bankave, 12 të tjera për detyrimet ndaj kreditorëve dhe vetëm 1 miliardë ka mbetur për nevojat e shtetit grek.
 
VALIDE LIMANI