Tenis

Nadal eliminohet në Cincinnati

21.08.2015 12:22

Rafael Nadal eliminohet nga turneu Atp Masters 1000 i tenisit në Cincinnati...

Pas duelit maratonë që zgjati dy orë e 27 minuta, ai u dorëzua përballë bashkëkombasit spanjoll, Feliciano Lopez në tre sete, 5-7 6-4 7-6. Në këtë mënyrë, në çimenton e Ohio-s nuk realizohet dueli më Roger Federer në çerekfinale.
 
Numri 3 në botë shëtiti përballë afrikano-jugorit Kevin Anderson. 6-1, 6-1 ishte rezultati i përballjes, që zgjati vetëm 15 minuta.
 
Tjetër eliminim surprizë ai i kroatit Marin Cilic nga francezi Richard Gasquet. Me këtë fitore, 29-vjeçari siguron përballjen me Andy Murray.
 
Britaniku numri 2 në botë vuajti në sfidën me bullgarin Dimitrov dhe në fund fitoi pas 3 orëve lojë. Në duelet e mëparshme në Cincinati ishte kualifikuar Novak Djokovic.
 
Serbi numri 1 në botë kaloi në çerekfinale duke vuajtur përballë belgut Goffin. Pas barazimit 1-1 me sete, Djokovic e pa veten në disavantazh 3-0 në setin e tretë, por u rikthye fuqishëm dhe fitoi 6 gejme radhazi.
 
Kundërshtari i radhës do të jetë Stan Wawrinka, zvicerani që klasifikohet i pesti në botë, në atë që do të jetë një përsëritje e duelit në Roland Garros.
 
Shumë më i lehtë kualifikimi i Thomas Berdych. Tenisti çek mposhti spanjollin Tommy Robredo në dy sete, me rezultatin 6-0 6-1. Në çerekfinale Berdych do të ndeshet me ukrainasin Alexandr Dolgopolov.
 
Në turneun për femra, Serena Williams shkatërroi italianen Knapp në më pak se një orë. Rivalja e radhës për tenisten që kryeson renditjen botërore do të jetë serbia Ana Ivanovic, që kaloi amerikanen e re Stephens.
 
Kualifikohet në çerekfinale Jankovic pas suksesit me çeken Pliskova. Mes të kualifikuarave edhe Simona Halep, ndërsa bjellorusia Victoria Azarenka tërhiqet përballë Pavlyuchenkova-s dhe i jep lamtumirën turneut pas një dëmtimi muskulor.