Botë

Gjermani, sherr në kampin e azilantëve, një i ri gris Kuranin, 17 të plagosur

21.08.2015 12:53

Në një qendër të strehimit të refugjatëve në qytetin e Suhlit në Gjermani ka shpërthyer një përleshje mes emigrantëve...

Sipas policisë gjermane një i ri nga Afganistani provokoi të pranishmit duke grisur fletë të Kuranit dhe duke sharë fenë islame.
 
Kaq ka mjaftuar që të shpërthente dhuna, duke shkaktuar 17 të plagsour. I riu nga Afganistani ka shpëtuar falë ndërhyrjes së forcave policore që ruajnë kampin e refugjatëve.
 
Veç mbështetësve të të riut agfan me turmën u përleshën edhe forcat e rendit, pasi ndërhyrja e tyre nuk u mirëprit nga refugjatët.
 
Ata qëlluan policinë me gurë e mjete të tjera të forta, duke lënë të plagosur 6 prej tyre, ndërsa 11 të plagosurit janë refugjatë nga të dy palët në konflikt.
 
Ministri i Emigracionit, Dieter Lauinger tha për mediat se përplasja mes refugjatëve nuk nisi si revoltë për kushtet e jetesës, pasi ambienti ku janë akomoduar është projektuar të strehojë 1200 persona, ndërsa pranoi se edhe 600 të tjerë qëndrojnë aty mbi kapacitet.
 
Autoritetet e landit thonë se  përzierja e personave me kombësi të ndryshmë natyrshëm do të sjellë përplasje.
 
“Veprimi i të riut, patjetër që do të ngjallte trazira, pasi pjesa më e madhe e të strehuarve në këtë ambjent janë me prejardhje myslimane”- thonë ata.
 
I riu që grisi fletët e Kuranit është strehuar në rajonin e policisë, pasi mori trajtimin mjekësor.
 
Kohët e fundit në disa kampe refugjatësh janë regjistruar përplasje, kryesisht për shkak të kushteve në të cilat janë akomoduar azilkërkuesit.
 
BELINDA KOKA-ADEMI