Botë
Tailandë, Zyrtarët: Shpërthimi në Bangkok nuk ishte sulm terrorist
21.08.2015 20:52
Zyrtarë të qeverisë dhe policia tajlandeze kanë mbajtur një ceremoni të posaçme të premten në nder të viktimave që humbën jetën këtë fillim-javë...

Zyrtarë të qeverisë dhe policia tajlandeze kanë mbajtur një ceremoni të posaçme të premten në nder të viktimave që humbën jetën këtë fillim-javë në një nga sulmet më të këqija në vend ndërsa duket se janë shumë pranë identifikimit të autorëve të kësaj ngjarjeje dhe të arsyes i çuan në këtë akt ekstrem.
Por e vetmja provë që policia ka deri në këto momente, është një video që shfaq një mashkull edhe të paindentifikuar, me një çantë në shpinë, shumë pranë vendit ku ndodhi shpërthimi mëngjesin e të hënës. Ata janë të sigurtë vetëm për kombësinë e atentatorit, që është i huaj.
Dyshimet se shpërthimi në tempullin e shenjtë, një nga vendet më të frekuentuara në Bangkok, mund të jetë një sulm i organizuar nga një rrjet terrorist, kanë rënë poshtë.
Shefi i policisë së Bangkokut megjithatë, shprehet se ky është një sulm i mirëorganizuar.
“Nuk kam thënë se kemi 10 të dyshuar. Megjithatë, në teori, mund të them se sulmi është përgatitur nga më shumë se 2 apo 3 persona, që kanë studiuar mirë terrenin. Një sulm i tillë me bombë, është organizuar nga disa persona” tha ai.
Tempulli erauan, që i dedikohet hyjnisë Hindu, është një vend që vizitohet nga mijëra turistë të huaj, kryesisht nga Kina. Por qeveria tajlandeze e mohoi kategorikisht që në qendër të sulmit të ishin turistët kineze.
