Maqedoni

Emigrantët, një pjesë kanë arritur në serbi, rreth 3 mijë në pritje

23.08.2015 14:02

Në vendkalimin kufitar Bogorodicë me Gjevgjelinë, ku disa ditë më parë u zhvillua drama e emigrantëve, nga mëngjesi i sotëm po mbretëron qetësi dhe ka një numër të vogël të emigrantëve...

Gjithashtu në zonën ku janë vendosur barrikadat me gjemba janë të pranishëm disa pjesëtarë policie, të cilët nuk pengojnë lëvizjen e emigrantëve.

Situata është e qetë dhe se policia herë pas herë ndalon dhe legjitimon disa emigrantë dhe më pas i lejon që të vazhdojnë rrugëtimin.

Edhe pas kësaj situate po vazhdon fluksi masiv i emigrantëve sirian, afgan, irakian dhe nga Somalia.

Në pjesën e kufirit me Greqinë, po pastrohet terreni nga eskavator dhe mjete tjera pastrimi, ndërsa vërehet edhe prania e forcave policore greke.

Hekudhura e linjës Selanik – Shkup sot rreth orës 10.00 është liruar edhe për mjetet transportuese, pas disa ditëve të bllokimit.

Në një largësi disa kilometra nga kufiri po ndërtohet një qendër e përkohshme për pranimin e emigrantëve, ndërsa nga mëngjesi janë ngritur edhe dy tendat e para.

Autoritetet e Maqedonisë theksuan se mbrëmë janë transportuar drejt kufirit me Serbinë mbi 4 mijë emigrantë.

Për momentin nga ana Serbe nuk ka ndonjë informatë për ndalimin e emigrantëve, por ndodh që ndonjë grup të kthehet e më pas me tentativën e dytë të arrijë të kalojë kufirin.

Mësohet se në kampin e Preshevës tashmë kanë hyrë mbi 2 mijë persona nga Maqedonia, kurse në pritje janë edhe afro 3 mijë.

Pasi Hungaria vendosi një mur të gjatë për të mbrojtur shtetin nga emigrantët, tani refugjatët do të gjejnë një alternativë tjetër me gjasë do të marrin rrugën për në Kroaci.

Ndërkohë edhe qeveria bullgare ka vendosur që të përforcojë sigurinë e saj kufitare pas krizës me emigrantë në Gjevgjeli të Maqedonisë.

Masat e ndërmarra nga Bullgaria janë bërë me qëllimin që të evitojnë fluksin e madh të emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika veriore nëpërmjet kufirit bullgaro-maqedon.

Bullgaria ka dërguar forca ushtarake për të kontrolluar kufirin bullgaro¬maqedon si dhe kufirin bullgaro-grek, ku mijëra emigrantë ilegalë provojnë çdo ditë që të hyjnë në Bullgari.

Ndërsa, që nga fillimi i vitit më shumë se 9,000 emigrantë kanë kërkuar azil në Bullgari. Për dallim nga Maqedonia, Bullgaria është vend anëtar i BE-së, por jo edhe i zonës Shengen.

Edhe policia kufitare shqiptare raportohet se ka përforcuar masat në kufi. Jo zyrtarisht thuhet se, ndonëse nuk parashikohet që Shqipëria të përdoret si tranzit, mjaft sirianë e kanë përdorur këtë vend si pikë kalimi gjatë periudhës së kaluar.

Dje thuhet se, zyrtarë të policisë kufitare shqiptare kanë inspektuar pikën kufitare të Kapshticës dhe të Kakavijës, ku deri më tani situata duket e qetë dhe nuk ka dyndje të emigrantëve nga vendet e Lindjes, për ta përdorur Shqipërinë si një korridor kalimi me destinacion vendet e Bashkimit Europian.

BESIM ABDULAI