Maqedoni

6 mijë vende të lira në afatin e dytë, nxënësit të përzgjedhin drejtimet profesionale

24.08.2015 13:15

Në të gjitha shkollat e mesme të Qytetit të Shkupit ku ka vende të lira, sot u realizua afati i dytë i regjistrimit...

Në këtë afat janë të lira 6 mijë vende për regjistrim në gjuhën shqipe.
 
Në shkollën e mesme profesionale “8 shtatori” ka numër më të madh të vendeve të lira dhe drejtime atraktive, si: teknik i makinerisë, teknik për udhëheqje makinerike, montues të ujësjellësit dhe ngrohjes, drejtime këto deficitare në tregun e punës. 
 
Ndihmësdrejtori i kësaj shkolle, Vullnet Iseni, u bën thirrje nxënësve të përzgjedhin këtë shkollë me mbi 140 vende të lira, sepse e njëjta ofron perspektivë.
 
“Kemi diku rreth 130 vende të lira, do të thotë se kemi mjaft vende të lira dhe regjistrimi do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim, deri më 1 shtator”- deklaroi ndihmësdrejtori, Vullnet Iseni.
 
Vende të lira ka edhe në Shkollën e Mesme “Vllado Tasevski” apo PTT, në dy drejtimet shpedicion dhe elektro.
 
“Në shkollën tonë “Vllado Tasevski”-PTT ka dy drejtime, ai i shpedicionit dhe elektros, kanë mbetur edhe 40 vende të lira dhe nxënësit që ende nuk janë regjistruar u ofrojmë që të regjistrohen në këtë shkollë për shkak se ofron perspektivë dhe të ardhme të mirë”- tha Arben Zekiri nga PTT.
 
Nxënësit u bëjnë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre që të orientohen në shkollat e mesme profesionale për të cilat ka nevojë tregu i punës.
 
“E kam zgjedh drejtimin e makinerisë, sepse mendoj se është atraktiv dhe në të ardhmen do të punësohem menjëherë”- theksoi një nxënës.
 
“Ju bëj apel semimaturantëve të zgjedhin këtë shkollë, sepse ka drejtime të mira dhe arsimtarë të mirë dhe pasi ta përfundojnë shkollën do të ketë lehtësim për punësim”- u shpreh një nxënës. 
 
Kohë më parë  edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëri thirrje që nxënësit shqiptarë të përcaktohen në drejtimet e shumta profesionale ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.
 
FLUTURA LATIFI