Maqedoni

Bushati në Tetovë, inspekton zonat e prekura nga përmbytjet

24.08.2015 13:31

Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, ka vizituar zonat e prekura nga përmbytjet e 3 gushtit në Tetovë...

Ministri Bushati tha se duhen përshpejtuar projektet dhe programet e qëndrueshme dhe afatgjata infrastrukturore nga të cilat do të përfitojnë banorët e Tetovës dhe rrethinës së saj.
 
“Ju transmetova drejtpërdrejt ngushëllimet e shtetit shqiptar familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre, është detyrim kushtetues për ne, me mundësitë tona të kufizuara, që t’u qëndrojmë sa më pranë në këto momente të vështira.Sikundër kam kënaqësinë të transmetoj bashkëpunimin shumë të mirë me qeverinë për transferimin e ndihmave në mënyrë që të tejkalohej situata në një kohë sa më të shpejtë”- deklaroi ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati.
 
Kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, njoftoi ministrin Bushati se tani më është përmbyllur faza e parë, respektivisht pastrimi i të gjitha zonave të prekura nga përmbytjet, dhe se është nisur me fazën e dytë, apo me sanimin dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara.
 
“Këtu punohet me intensitet. Shpresojmë që në një afat shumë të shkurtër këtu punimet të përmbyllen. Falënderojmë ministrin që gjeti kohë të vinte në këtë zonë për të ngushëlluar familjarët e të na jepte edhe ne më tepër motiv për punë”- tha kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
Sipas Arifit, mbështetja e Shqipërisë pas përmbytjeve të 3 gushtit dëshmoi edhe një herë vlerën e fqinjësisë së mirë dhe të solidaritetit dhe përforcoi ndjesinë se dy vendet i qëndrojnë pranë njëri-tjetrit në momente të vështira.
 
AIDA ZIBERI