Maqedoni
Ambasada e Fëmijëve “Megjashi”: t’i mësojmë fëmijët se të gjithë janë njësoj
24.08.2015 14:54
Të gjithë fëmijët kanë të drejta të njëjta, të gjithë fëmijët duhet të mësojnë të sillen njësoj me fëmijët e tjerë...

Të gjithë fëmijët kanë të drejta të njëjta, të gjithë fëmijët duhet të mësojnë të sillen njësoj me fëmijët e tjerë që ndoshta nga pamja nuk duken si ata apo kanë etnitet të ndryshëm, sepse të gjithë fëmijët janë njësoj!
Pikërisht për të sheshuar dallimet që mund të vërehen tek fëmijët që në moshë të hershme, Ambasada e parë e Fëmijëve “Megjashi” në bashkëpunim me Organizatën “Vitet e Hershme” nga Irlanda Veriore, në 6 ditët e ardhshme do t’i trajnojë rreth 70 edukatorë, drejtorë të çerdheve, përfaqësues të ministrive dhe përfaqësues nga vendet e rajonit.
“Pikërisht ky program dhe 70 edukatorët nga rajoni, me ndihmën e trajnuesve tanë nga Irlanda Veriore, do të na ndihmojnë jo vetëm me anë të broshurave dhe kukullave, por se si të punojmë me fëmijët dhe komunikimin e tyre të ndërsjellë në pranimin e dallimeve të të tjerëve pavarësisht se sa dallohen prej nesh, në ndërtimin e paqes, si dhe në investimin e fëmijëve për t’u bërë qytetarë të ndërgjegjshëm, të aftë, si dhe të përgatitur për sistemin arsimor dhe shoqërinë multikulturore në Ballkan”- tha kryetari i Ambasadës së Fëmijëve “Megjashi”.
“Në Irlandën Veriore ne kemi punuar një program që merret me mbështetjen e fëmijëve dhe kyçjen e tyre në programe të tilla, sepse fëmijët prej moshës 3-4 vjet veç më janë të aftë për t’i bërë dallimet, ndërsa fëmijët të moshës 6 vjeçare i largojnë fëmijët që janë më ndryshe se ata. Ne si Organizatë “Vitet e Hershme” vlerësojmë se është shumë e rëndësishme për fëmijët që në vitet e hershme të fëmijërisë ta largojnë këtë problem”- deklaroi trajnuesja nga Irlanda Veriore, Cliough Boyle.
Nga Organizata “Vitet e Hershme” thonë se për përparimin e fëmijëve dhe formimin e tyre të hershëm duhet të punohet edhe më shumë me prindërit, edukatorët dhe mësuesit.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
