Maqedoni
Kriza e refugjatëve, Çavkov-Kruc: BE të ndihmojë urgjentisht Maqedoninë
24.08.2015 15:09
Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Mitko Çavkov, thotë se është e palogjikshme që problemi me krizën e refugjatëve në Maqedoni vjen përmes një vendi i cili është anëtar i BE-së...

Çavkov pret ndihmë konkrete nga Brukseli për të menaxhuar situatën e krijuar nga vala e refugjatëve. Ministri i Brendshëm ka vizituar kufirin në Gjevgjeli bashkë me shefin e Diplomacisë austriake, Sebastian Kruc.
“Me rreth 800 pjesëtarë të policisë dhe ndihmën që na ofron Armata e Maqedonisë arrijmë të menaxhojmë situatën me refugjatët, e cila nga dita në ditë mund të eskalojë për shkak të hyrjes së pakontrolluar të emigrantëve nga ana greke. Qëllimi ynë primar mbetet qasja humanitare dhe organizimi i transferimit të tyre përmes Maqedonisë, duke i mbrojtur nga grupet e organizuara kriminele të cilët dëshirojnë të përfitojnë përmes transferimit të tyre në kufirin me Serbinë”- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov.
Ndërkohë, shefi i Diplomacisë austriake, Sebastian Kruc, thotë se gjendja në Maqedoni është dramatike, ndërkohë që vendi është lënë vetë të përballet me numrin e madh të emigrantëve. Sipas tij, BE-ja duhet të ndihmojë me veprime konkrete.
“Është e domosdoshme qasje e përbashkët dhe nuk guxon të lejohet më tutje që në Maqedoni të hyjnë emigrantë të paregjistruar nga Greqia. Bashkimi Evropian përfundimisht duhet të shikojë edhe ndaj rutës së refugjatëve nëpër Maqedoni, e jo vetëm ndaj asaj në Itali. Zgjidhje afatgjate e problemit është e mundur vetëm nëse arrijnë marrëveshje shtetet e krizës"- tha ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kruc.
Kurc dhe Çavkov vizituan kampin pranues në afërsi të kufirit me Greqinë, ku biseduan me emigrantët dhe përfaqësuesit e UNHCR-së dhe organizatat joqeveritare të cilat janë të kyçura në aktivitete për lehtësimin e krizës së refugjatëve.
ZËRIETA JAHJAGA
