Greqia mbetet pa qeveri, Meimarakis kthen mandatin
Dështojnë sërish përpjekjet në Greqi për të krijuar qeverinë e re, pasi edhe lideri i opozitës greke, kreu i partisë konservatore, Vangelis Meimarakis, u tërhoq...

Pas përpjekjeve 3 ditore për të gjetur një partner për koalicionin e ri qeveritar, Meimarakis i dorëzoi mandatin presidentit të vendit. Presidenti, Prokopis Pavlopoulos, pritet t’i ofrojë mandatin bllokut të tretë më të madh në parlament, partisë “Bashkimi Popullor”, një parti e re e ekstremit të majtë, e sapokrijuar nga Panagiotis Lafazanis, i rebeluari i parë nga Syriza.
Zëdhënësja e qeverisë në ikje, Olga Gerovasili, tha se zgjedhjet e reja në Greqinë e trazuar do të mbahen më 20 shtator.
Mbetet vetëm për t’u parë nëse Panajotis Lafazanis, ish ministër dhe lider i partisë “Bashkimi Popullor”, do të arrijë të formojë qeverinë e re. Nëse ai dështon, mund të krijohet përkohësisht një qeveri uniteti kombëtar, por edhe nëse ky skenar nuk realizohet, parlamenti do të shpërndahet dhe një administratë e përkohshme do të betohet deri pas zgjedhjeve të shtatorit. (Lumturie Hajro, TVM2)
