Gjevgjeli, hapet kampi për refugjatët, OKB: Pritet një valë e re emigrantësh
Në Gjevgjeli edhe zyrtarisht do të funksionojë punkti i ri pranues për refugjatët...

Në kuadër të kampit të ri nisi edhe evidentimi elektronik i emigrantëve që arrijnë nga Greqia. Përmes këtij kampi do t’u mundësohet emigrantëve një trajtim më human dhe më i organizuar, ndërsa njëkohësisht hapësira rreth qendrës transportuese të kthehet në normalitet, duke mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve.
E derisa Gjevgjelia është zbrazur, Serbia është në alarm prej fluksit të refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Azia. UNHCR-ja dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar folën për një shifër rekord prej 7 mijë refugjatësh, të mbërritur në Serbi mbrëmjen mes të shtunës dhe të dielës.
Dyndja drejt Serbisë erdhi pasi Maqedonia hoqi bllokadën kufitare me Greqinë të vendosur të enjten, në përpjekje për të ndalur fluksin e papërballueshëm të refugjatëve. Për bllokimin e kufirit qeveria u përball me kritikat e ashpra të ndërkombëtarëve.
Kombet e Bashkuara parashikojnë një fluks edhe më të madh refugjatësh e emigrantësh gjatë ditëve në vijim.
Në Preshevë, ndërkohë, është ngritur një kamp nga qeveria serbe për të pritur refugjatët, me shpenzime ditore prej 15 mijë eurosh. Me kërkesë të Beogradit, kampi është nën mbikëqyrjen dhe ndihmën e UNHCR-së e Kryqit të Kuq. (Valide Limani, TVM2)
