Refugjatët, Merkel-Hollande: Kriza më e madhe në 50 vitet e fundit në Evropë
Fluksi i njerëzve që kërkojnë azil në vendet evropiane është më i madhi në 50 vitet e fundit. Kriza është vendosur në fokusin e një takimi mes kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Francois Hollande, drejtuesit e dy shteteve që përballen me fluksin më të madh të emigrantëve...

Merkel dhe Hollande përpiqen t’i ofrojnë një stimul të ri reagimit të Bashkimit Evropian ndaj mijëra emigrantëve, që vazhdojnë të mbërrijnë në brigjet e Evropës.
107 mijë persona llogaritet të kenë hyrë vetëm muajin e kaluar, çka ngjall frikën se blloku mund të mos jetë në gjendje të përballet me situatën.
Merkel dhe Hollande kërkojnë harmonizimin e strategjive mbi politikat e azilit, si dhe një politikë të kompletuar tërësore evropiane sa i takon përballjes me azilkërkuesit.
Ndër prioritetet e tjera të dy udhëheqësve është dhe hartimi i një liste vendesh, shtetasit e të cilëve nuk do të përfitojnë të drejtë azili në Evropë.
Gjithashtu ka edhe plane për ngritjen e qendrave të pritjes në Greqi dhe Itali, të cilat do të ndihmojnë në identifikimin e emigrantëve të paligjshëm dhe azilkërkuesve. Bisedimet vijnë pas refuzimit që anëtarët e BE-së i bënë propozimeve të kreut të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, për vendosjen e një sistemi kuotash të detyrueshme pranimi të refugjatëve.
Mesdheun llogaritet ta kenë kaluar këtë vit 250 mijë emigrantë dhe Organizata Ndërkombëtare për Emigracion bën të ditur se deri në fund të vitit kjo shifër do të shkojë në më shumë se 300 mijë.
