Propozimi i Gruevskit: Të gjithë kundër mandateve “bonus”

24.08.2015 17:46

Partitë politike, nënshkruese të Marrëveshjes së dy qershorit, kanë rënë dakord se në pakon e reformave deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të ndodh edhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor, por partitë politike ende janë shumë larg dakordimit për modelin zgjedhor...

Propozimi më i ri i kreut të VMRO-DPMNE-së që partia fituese në zgjedhje të marrë edhe 17 mandate bonos, për të pasur një shumicë dhe qeveri stabile, është hedhur poshtë nga partia shqiptare në pushtet, BDI. Sipas kësaj partie, “sistemi bonus” është i papranueshëm në shtete multietnike.

“Një propozim i tillë do të shqyrtohej vetëm nëse ligjërisht rregullohet zgjedhja e qeverisë, të zbatohet me Badenter, apo shumicën e dyfishtë”- kanë thënë për DW nga Qendra për informim e BDI-së.

Propozimi i këtillë i kryeministrit dhe liderit të VMRO-së, Nikolla Gruevskit, u hodh poshtë si i papranueshëm edhe nga LSDM.

“Modeli i propozuar nga shumica, modeli i shumicës, posaçërisht i modernizuar me 17 vende deputetësh shtesë për partinë që do të fitojë më shumë vota, fillimisht të gjithë e kanë të qartë se Gruevski pas dhjetë vitesh në pushtet do të shkojë në histori, gjithsesi se LSDM dhe opozita do të radhiten të parat, por a do të thotë kjo që Zaev duhet të bëhet një Gruvski tjetër?!”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Edhe ekspertët juridik thonë se ky model propozimi i Gruevskit është i dëmshëm për shqiptarët dhe demokracinë në përgjithësi.

“Propozimi i fundit i kryeministrit Gruevski që partia fituese të fitojë 17 vende bonus nuk është aspak demokratik për arsye se kjo do të dëmtonte shumë grupe të tjera etnike, por edhe grupe të tjera të qytetarëve, të cilët duan të përfaqësohen me votën e tyre në parlament, do të mbesin të papërfaqësuar dhe jashtë parlamentit”- theksoi eksperti juridik, Mersin Maksuti.

BDI edhe më tej mbështet modelin aktual.

Opozita maqedonase mbetet në qëndrimin se modeli më i mirë për Maqedoninë është modeli proporcional me një njësi zgjedhore, ku do përfshihet edhe diaspora. Mirëpo, ky model refuzohet nga VMRO-DPMNE, e cila është për modelin e shumicës me një njësi zgjedhore.

Edhe opozita shqiptare jashtëparlamentare është për një njësi zgjedhore, por me lista të hapura.

RDK-ja, Lëvizja “Besa” dhe Lëvizja për Reforma në PDSh vlerësojnë se sistemi aktual diskriminon votën shqiptare, duke e bërë atë më pak të vlefshme se vota në njësitë zgjedhore me shumicë maqedonase, për shkak të dallimit prej mbi 30 mijë votuesve mes njësisë 6-të, me njësitë zgjedhore 3 dhe 4.

Modeli zgjedhor, përkatësisht ndryshimet në kodin zgjedhor, lista zgjedhore dhe KShZ do të jenë në tryezën e grupit të punës, i cili pritet të mblidhet ditën e martë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)