Bushati porosit Shkupin zyrtar: Marrëdhëniet ndëretnike, busulla juaj orientuese

24.08.2015 17:51

Shqipëria dhe Bullgaria përkrahin Maqedoninë në përpjekjet e saj eurointegruese...

Kjo u konfirmua nga ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, dhe ai i Bullgarisë, Daniell Mitov, në takimin e përbashkët në Shkup me homologun e tyre maqedonas, Nikolla Popovski.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Bushati, tha se kultivimi i marrëdhënieve ndëretnike do ta ndihmonte Maqedoninë në përpjekjet e saj eurointegruese.

“Si një fqinjë që i duam vetëm të mirën Maqedonisë, besojmë se një marrëdhënie edhe më e mirë ndëretnike do të ishte busulla orientuese për stabilitetin demokratike, prosperitetin ekonomik, për marrëdhënie ndërfqinjësore më të mira dhe për zhvillim të reformave në mënyrë të qëndrueshme, që besojmë se do të lehtësonin rrugën e Maqedonisë për në BE dhe për në NATO. Theksi që ne i vëmë një marrëdhënie ndëretnike më të përmirësuar nuk ka të bëjë me një politikë as bllokuese nga ana e Shqipërisë, por me një model demokracie multietnike, e cila në rastin e Maqedonisë besojmë që është një vlerë e cila jo thjesht duhet ruajtur, por duhet konsoliduar edhe më tej. Besojmë që është një vlerë që ruhet dhe konsolidohet dhe do ta ndihmojë Maqedoninë në procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik”- tha ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati.

Fluksi i madh i emigrantëve ishte temë e takimit. Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Mitov, tha se BE-ja duhet t’i dalë në ndihmë Maqedonisë për t’u përballur me emigrantët në kufirin jugor me Greqinë.

“Ekzistojnë mekanizma të caktuar për solidaritet të cilat BE mund t’i shfrytëzojë për t’i dalë në ndihmë Maqedonisë në përballjen me emigrantët. Sa i takon kontrollit mbi kufijtë, ky është obligim i yni”- u shpreh ministri i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Daniell Mitov.

Për ndihmën e BE-së u shpreh edhe ministri i Jashtëm i vendit, Nikolla Popovski. Ai tha se kjo çështje do të shtrohet në Samitin e Vjenës, që do të mbahet këtë javë, ku në mënyrë të hapur gjithashtu do të kërkohen mekanizmat për zgjidhjen e çështjeve bilaterale që ka Maqedonia.

“Nuk shkojmë në Vjenë për të impresionuar askënd. Shkojmë në Vjenë pasi që ka proces në të cilin shprehet vullneti i qartë i vendeve të Ballkanit Perëndimor se duhet të jenë pjesë e BE-së. Në mënyrë të hapur për herë të parë duam që të kemi mekanizma për tejkalimin e çështjeve bilaterale. Përfundimisht shumica e problemeve që kemi do të dukeshin më të lehta në rast se kemi një proces kredibil të integrimit”- deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski.

Gjatë takimit u fol edhe për situatën politike në vend, si dhe për Korridorin tetë. Treshja e ministrave Bushati, Popovski dhe Mitov nënshkruan një deklaratë të përbashkët që ky lloj i takimeve trelaterale të jetë i rregullt për një të ardhme të përbashkët euroatlantike të vendeve të Ballkanit. (Meral Ismaili, TVM2)