Dardan Berisha largohet nga përfaqësuesja e Polonisë
Dardan Berisha është larguar me kërkesën e tij nga Përfaqësuesja e Polonisë...
Ai këtë e ka bërë pasi që nuk është i kënaqur me pozitën ku angazhohet në skuadër. Ndarja është bërë me marrëveshje të dy anshme.
Shqiptarët nuk do të mund ta shohin shkëlqimin e Dardan Berishës në ‘Euro Basket 2015’ që fillon nga 5 shtatori.
Kjo pasi që basketbollisti i njohur shqiptar ka kërkuar nga trajneri, Mike Taylor të lirohet nga skuadra. Dardani i shpjegon arsyet e largimit.
“Nuk isha i kënaqur me rolin tim në ekip. Këta janë munduar që të më fusin në një pozitë tjetër, e jo ën pozitën time dhe në këtë pozitë unë nuk jam ndjerë mirë”, ka thënë Berisha.
“Së bashku me trajnerin dhe me drejtorin e përfaqësueses e kemi vendosur që unë të largohem. Unë isha ai që e inicoi këtë bisedë”, nënvizoi Berisha.
Lojtari më i mirë në Kosovë në vitet e fundit thotë se e gjithë forca e tij tani do të koncentrohet te Cibona e Zagrebit. “Këto ditë jam në pushim në Kosovë dhe pastaj do të shkoj të vazhdoj me Cibonën nga java e ardhshme. Kjo është më e rëndësishmja për mua”, përfundoi Berisha.
Berisha ishte futur në listën përfundimtare të Polonisë për kampionatin evropian.