Këtë të enjte nis Shkolla Rajonale e Filmit Dokumentar ACTive #2

25.08.2015 11:50

Programi është i konceptuar të jetë i larmishëm, joformal dhe edukativ, duke mbledhur krijuesit e rinj të filmit që kanë interesimin për eksplorim të filmit dokumentar kreativ...

Eroll Bilibani nga DokuFest që është njëri nga bashkëorganizatorët e kësaj shkolle ka thënë për KultPlus se edicioni i dytë i shkollës do të zgjasë për dy javë, me një program intensiv të sesioneve që trajtojnë aspektet e ndryshme të kinematografisë, përcjell me shfaqjen e një numri të filmave si dhe diskutimeve që e përbëjnë elementin integral të të gjithë sesioneve.

"Gjashtëmbëdhjetë pjesëmarrës nga katër shtete do të kenë edhe sesione të ushtrimeve praktike dhe do të mbikëqyren nga 5 tutore. André Gil Mata, Jelena Maksimoviq, Kaori Oda, Ludovica Fales dhe Sunçica Fradeliq janë tutorët të cilët do të punojnë me grupet e të rinjve gjatë tërë kohës", ka thënë Bilibani.

Ky projekt është bashkëpunimi i radhës mes DokuFest (Kosovë), Pravo Ljudski Film festival (Bosnje dhe Hercegovine) dhe MakeDox (Maqedoni) dhe është përkrahur nga National Endowment for Democracy.