Skënderbeu në mision të pamundur ndaj Dinamos
Skënderbeu do të kërkojë mrekullinë sonte në ndeshjen e kthimit me Dinamon e Zagrebit në Kroaci...

Korçarët do të luajnë gjithçka për të përmbysur rezultatin e një jave më parë në “Elbasan Arena”, ku kroatët fituan 2-1 me një gol të shënuar në minutat e fundit. Misioni i kampionëve të Shqipërisë bëhet akoma më i vështirë pas largimit të Hamdi Salihit.
Për t’u kualifkuar për në grupet e Ligës së Kampionëve, Skënderbeut i duhet një fitore me dy ose më shumë gola, ndërkohë që në rast eleminimi korçarët do të luajnë në grupet e Ligës së Europës. Misioni “Champions” duket i pamundur, por Skënderbeu nuk ka se çfarë të humbasë, e për këtë edhe trajneri Mirel Josa theksoi se ekipi do ta provojë.
“Trajneri i Dinamos tha se shanset janë 50-50. Unë kam të njëjtin mendim. Dinamo na mundi në shtëpi, por unë mendoj se ne kemi të njëjtën mundësi. Persa i perket Olainkës, ai nuk do të luajë nga fillimi, pasi ka qenë larg ekipit për një kohë të gjatë, sepse unë nuk e di gjendjen e tij fizike” – tha Josa në konferencën e fundit para ndeshjes.
Ndeshja kthyese e vlefshme për plej offin e Ligës së Kampionëve, mes ekipeve të Dinamos dhe Skënderbeut, do të luhet sonte në stadiumin “Maksimir” të Zagrebit, me fillim në orën 20 e 45 dhe do të referohet nga arbitri I njohur italian, Xhanlluka Roki.
