Kriza e emigrantëve, BE: Të lëmë mënjanë fajet, të bashkëpunojmë

25.08.2015 14:42

Në mesin e krizës së klandestinëve, menaxhimi i së cilës i ka vënë shpeshherë përballë liderët e Bashkimit Evropian, shefja për politikën e jashtme, Federica Mogherini, ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe lënie mënjanë të lojërave të fajit...

Mogherini tha se BE po bashkëpunon ngushtë me vendet e Ballkanit të cilat po përballen me pasojat e kësaj krize, ndërsa konfirmoi një ndihmë prej 8 mln eurosh të Komisionit Evropian për menaxhimin e situatës.

“Fluksi i emigrantëve me të cilin po përballemi është pasojë e krizave që kemi përreth Evropës dhe në këtë situatë lojtarët e ngecies së fajit nuk na japin asnjë rezultat serioz. Çështja kryesore nuk është se kush po i bën detyrat e kush jo, por si po e përballojmë dhe menaxhojmë bashkë këtë çështje”- deklaroi shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Mendimin se Evropa duhet të bëjë më shumë si bashkim politik përballë krizës së emigrantëve e ndan edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, e presidenti frances, Hollande.

“Nëse e shikojmë situatën në Evropë, shohim që ne kemi një ligj të përbashkët për azilin, i cili nuk po zbatohet. Gjermania dhe Franca kërkojnë zbatimin e tij dhe në mënyrë të veçantë, regjistrimin dhe standardet minimale të pranueshme për akomodimin dhe trajtimin e emigrantëve”- tha kancelarja gjermane, Angela Merkel.

“Është e domosdoshme të regjistrohen njerëzit që vijnë në brigjet tona për të hyrë në Evropë, si dhe të bëhet dallimi i nevojshëm mes njerëzve që kërkojnë azil dhe atyre që vijnë thjesht si emigrantë e që nuk mund të pranohen”- theksoi presidenti i Francës, Fransua Hollande.

Evropa prej muajsh është në alarm për shkak të numrit të lartë të emigrantëve që kanë mbërritur e i drejtohen çdo ditë brigjeve të saj nga vendet në konflikt. (Valide Limani, TVM2)