Maqedoni

Valë e re e refugjatëve, mbi 3000 pritet të hyjnë sot në Gjevgjeli

25.08.2015 15:01

Maqedonia mund të përballet me një valë të re të madhe emigrantësh si ajo e fundjavës së kaluar...

Në Lesbos në Greqi kanë arritur 2489 të ikur nga Siria të cilët pritet të kalojnë përmes Maqedonisë në rrugën e tyre drejt Evropës.

14 anije me refugjatë kanë shkelur në tokën greke të ardhur nga Turqia. Ardhja e 3 mijë refugjatëve u paralajmërua dje edhe nga UNHCR. Maqedonia prej dje e ka gati kampin për pritjen e kësaj vale të re, por nuk pritet që ata të qëndrojnë gjatë në tokën tonë, pasi zakonisht e përdorin vendin tonë si transit për të kaluar në Serbi e më tej në vendet e BE-së.

Mbrëmë, në kufirin serbo-hungarez ka arritur vala e parë me rreth 1000 të ikur, të cilët para dy ditëve e lëshuan Maqedoninë. Rruga e tyre drejt Hungarisë deri më tani është në pikëpyetje, sepse Hungaria e ka rrethuar kufirin me mur. Muri është 4 metra i lartë dhe 175 kilometra i gjatë, punimet për ndërtimin e këtij muri do të përfundojnë më 31 gusht.

Sot dhe nesër pritet që në kufirin serbo-hungarez të arrijnë më shumë se 2000 të ikur. Këto ditë janë më të shpeshta apelet e përfaqësuesve të BE-së për ndihmë të Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë, për rrugën e Ballkanit Perëndimor të të ikurve nga Siria, Iraku dhe Afganistani dhe për definimin e politikës së unionit për të ikurit.

Nga MPB njoftojnë se deri tani 45,538 emigrantë,  shumica nga Siria, kanë marrë deri tani vërtetimin për qëllimin e shprehur për të aplikuar për njohjen e së drejtës për azil. Nga dje deri më sot në Departamentin për Azil nuk janë parashtruar kërkesa për njohjen e të drejtës për azil në bazë të vërtetimeve të dorëzuar më parë.

Ekipet e Kryqit të Kuq u kanë dhënë vetëm dje ndihmë mjekësore 162 personave, nga të cilat 77 në Tabanocë dhe 85 në Gjevgjeli, duke përfshirë edhe 13 gra shtatzëna. Janë shpërndarë edhe ndihma humanitare prej 930 shishe të ujit, 320 pakove me ushqime, 61 pako për higjienë individuale, 9 batanije dhe 27 paketa për foshnjat. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)