Ndihmë për familjet e rrezikuara sociale, 12 mijë denarë për nxënësit e shkollave të mesme

25.08.2015 15:29

Vazhdon projekti për kompensimin e nxënësve nga shkolla e mesme që vijnë nga familjet e rrezikuara sociale...

Bëhet fjalë për përkrahje financiare në vlerë prej 12.000 denarë për secilën familje e cila ka nxënës që është në shkollë të mesme dhe i cili është i rregullt në mbi 85 për qind të orëve gjatë tërë vitit.

“Ky projekt realizohet tashmë 6 vite dhe nënkupton ndihmë shtesë financiare për familjet e rrezikuara sociale të Republikës së Maqedonisë, stimul shtesë financiar për fëmijët e tyre që ta vizitojnë mësimin e rregullt në kuadrin e arsimit të mesëm”- theksoi ministri  i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.

Nxënësit e shkollave të mesme që aplikojnë për këtë ndihmë duhet të jenë nxënës të rregullt dhe të aplikojnë në konkursin që do të publikohet prej nesër dhe do të vlejë deri në fund të muajit shtator. Këtë vit janë ndarë gjithsej 78 milion denarë për përkrahje të rreth 6500 familjeve që janë pranues të ndihmave sociale. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)