Maqedoni
Analistët për modelin zgjedhor: Deklarimet kontradiktore dëmtojnë procesin
25.08.2015 15:57
Deklarimet tejet kontradiktore të partive politike për modelin e ardhshëm zgjedhor...

Deklarimet tejet kontradiktore të partive politike për modelin e ardhshëm zgjedhor, sipas analistëve politik të vendit, dëmtojnë procesin negociues të grupeve të punës pa u arritur marrëveshje.
Analistët, Naser Zyberi dhe Ismet Ramadani, duke kritikuar në veçanti propozimin e Gruveskit për bonusin prej 17 deputetësh, thonë se politikanët nuk kanë kohë që të merren me debate të zgjeruara, por duhet të punojnë në arritjen e marrëveshjes konstruktive.
“Partitë politike duhet të jenë të vetëdijshme se koha i shkelën, se në fund nuk do të bëjnë kurrfarë ndryshimi dhe nuk do të arrijnë kurrfarë marrëveshje edhe me gjasë do të mbetet situata status kuo”- tha analisti, Naser Zyberi.
“Do të ishte shumë mirë që partitë shqiptare të kenë një qëndrim të përbashkët dhe në interes të votës shqiptare, dhe në qoftë se edhe LSDM-ja me disa sinjale që ka dhënë pra do të ishte pajtuar me një njësi zgjedhore, atëherë unë mendoj se VMRO-DPMNE nuk do të kishte mundur të kalojë lehtë bisedime në përcaktimin e modelit”- tha analisti, Ismet Ramadani.
LSDM është për modelin proporcional me një njësi zgjedhore ku do përfshihet edhe diaspora. Sipas Zyberit, kjo është një qasje dukshëm më e drejtë në gjetjen e zgjidhjes, ndërsa pret nga BDI të qartësojë çështjen e diasporës.
“Nuk ka kurrfarë mbështetje të një koncepti të tillë që një deputet të mund të zgjidhet me 800 vota në raport me 8 mijë vota të një deputeti në Maqedoni, ndërsa vota e tij të vlejë në parlament siç vlen vota e deputetit nga republika, ose një votues në Australi të vlejë sa 10 votues në Maqedoni. Kjo është nonsens, e pakuptimtë”- u shpreh analisti, Naser Zyberi.
Ndërkaq, analisti Ramadani thotë se partitë shqiptare do të duhet të mbajnë qëndrimin e modelit proporcional me lista të hapura me një njësi zgjedhore me qëllim të përfaqësimit të më shumë partive politike shqiptare në kuvend.
“Me lista të hapura, ashtu siç e ka Kosova, të jep mundësi që të fitohet edhe në cilësi të deputetëve, respektivisht ata të cilët respektohen në mesin ku jetojnë sigurisht do të votohen edhe më shumë dhe nuk do të ketë ndikim shumë kreu partiak në radhitjen e emrave, respektivisht në përcaktimin e deputetëve të ardhshëm në parlament”- theksoi analisti, Ismet Ramadani.
Modeli me një njësi zgjedhore, me lista të hapura favorizohet nga opozita shqiptare jashtëparlamentare. BDI edhe më tej mbështet modelin aktual.
Ndërkaq, VMRO-DPMNE është për modelin e shumicës me një njësi zgjedhore.
MERAL ISMAILI
