Maqedoni
Hojt: Ka progres në bisedimet për Kodin Zgjedhor
25.08.2015 18:05
Bisedimet për kodin zgjedhor kanë shënuar progres, por ende nuk është arritur marrëveshje për çështje konkrete...

Të paktën asnjë nga pjesëmarrësit në tryezën e bisedimeve nuk ka kumtuar arritjen e ndonjë kompromisi.
Eksperti belg, i angazhuar nga komisari Han për implementimin e Marrëveshjes së 2 qershorit, njëkohësisht edhe koordinator i grupeve punuese, Piter Van Hojt, tha se palët kanë shënuar progres në bisedimet për Kodin Zgjedhor, ndërsa për marrëveshjet që do të arrihen opinionin do ta njoftojnë përfaqësuesit politik në grupin e punës.
Sipas tij, arritja e kompromisit nuk është e lehtë, megjithatë Hojt është optimist se marrëveshje megjithatë do të arrihet.
“Sot patëm diskutime shumë të mira. Për këtë çështje do të vazhdojmë diskutimin edhe nesër. Në fund të kësaj jave do të fillojmë diskutimin rreth prokurorit special. Kjo është marrëveshja. Për informacionin tuaj, takimi nesër do të mbahet në orën 11. Nuk mund të t’ju them asgjë për konkluzat, pasi mendoj se është roli i politikanëve që vetë t’ju prezantojnë konkluzat, kur do të ketë konkluza, por mund t’ju them se për momentin po shënojmë progres”- tha eksperti i BE-së, Piter Van Hojt.
Sipas Hojt, puna e grupit dhe procesi për zbatimin e Marrëveshjes së dy qershorit do të zgjasin deri në fillimin e fushatës zgjedhore, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të caktuara për në prill të vitit 2016.
Grupi po shqyrton pikat e marrëveshjes së Përzhinos sipas prioritetit, duke marrë parasysh të gjitha ekspertizat për secilën çështje veç e veç.
Takimet do të jenë të mbyllura, pasi grupi punues ka nevojë për më shumë privatësi, për të mos rënë nën ndikimin e mediave, sqaroi Hojt.
SHPËTIM NUREDINI
