Sportet E Tjera
Kenianët me dy medalje të reja të arta në Pekin
25.08.2015 18:45
Kenia tash për tash është përfaqësuesja bindshëm më e sukseshme në Kampionatin Botëror të atletikës në Pekin...

Kenia tash për tash është përfaqësuesja bindshëm më e sukseshme në Kampionatin Botëror të atletikës në Pekin, pasi në katër ditë e para të garimit, ka arkivuar poaq medalje të arta.
Rekordemeni botëror në 800 metra, David Rudisha, dëshmoi se lëndimet dhe forma e dobët janë e kaluar, për fitore të parë të madhe pas tre vitesh, duke ngadhnjyer me kohë prej 1.54.84, para Adam Kshchot nga Polonia dhe surprizës Amell Tuka nga Bosna e Hercegovina.
Bashkëatdhetari i tij Nikollas Bet, e regjistroi rezultatin më të mirë të vitit në 400 metra me pengesa, duke fituar medaljen e artë me kohë prej 47.79, duke I lënë amerikanët edhe pa një medalje të artë.
Bet, I cili asnjëherë më parë nuk kishte vrapuar për më pak se 49 sekonda, ishte fantastik dhe triumfoi me rekord kombëtar, para rusit Denis Kudrjavcev dhe Xhefri Gibsonit nga Bahamet.
Në 1.500 metra te femrat, medalja e artë shkoi për garuesen nga Etiopia, Genzebe Dibaba. Garuesja 24 vjeçare, pronare e rekordit botëror, dominoi plotësisht duke fituar me kohë prej 4.08.09.
Fejt Kipjegon nga Kenia ishte e argjendtë, ndërsa Sifan Hasan nga Hollanda e bronztë.
Kampioni olimpik nga Londra, Greg Raterford, vazhdoi paraqitjen e mirë për britanikët në këtë botëror, duke fituar në garën e kërcimit në largësi, me kërcim prej 8.41 metra.
Në pozitën e dytë u ndal austrialiani Fabris Lapjer, ndërsa në vendin e tretë kinezi Xhijanan Vang.
Në disiplinën e fundit finale të ditës së katërt, hedhje të diskut te femrat, medalja e artë I takoi kubanezes Denija Kabalero.
Ajo, me hedhje prej 69.28 metra, befasoi duke fituar para kampiones së mëparshme botërore dhe aktuale olimpike, kroates Sandra Perkoviç, e cila mbeti vetëm e argjendtë. E bronztë ishte gjermanja Nadin Miler. /Mustafa Ademi
