Jahjaga: Marrëveshja dëshmon seriozitetin e Kosovës në dialog
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga përmes rrjetit social Facebook ka përshëndetur nënshkrimin e katër marrëveshjeve në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sonte në Bruksel...

Ajo këtë e ka cilësuar si një moment të rëndësishëm për fuqizimin e rendit kushtetues dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
Në statusin në llogarinë personale të Presidentes Jahjaga thuhet se arritja e pakos së marrëveshjeve, përfshirë kodin e mëvetësishëm telefonik, dëshmon përkushtimin dhe seriozitetin e Republikës së Kosovës në procesin e dialogut, suksesi i të cilit do t’i ndihmojë edhe konsolidimit të mëtejshëm ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe perspektivës së saj të qartë evropiane.
Më poshtë është statusi i plotë në rrjetin social Facebook i presidentes Atifete Jahjaga:
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga përshëndet nënshkrimin e katër marrëveshjeve në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë sonte në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si një moment të rëndësishëm për fuqizimin e rendit tonë kushtetues dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
Presidentja Jahjaga, e cila zhvilloi një bisedë telefonike me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa, njëherit udhëheqës i delegacionit shtetëror në bisedimet me Republikën e Serbisë, theksoi se marrëveshjet forcojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe integritetin territorial, dhe aspiratën tonë për ta bërë Kosovën shtet gjithëpërfshirës, të qëndrueshëm dhe me prosperitet. Ato poashtu ndihmojnë në integrimin e komunitetit serb në jetën institucionale dhe shoqërore të vendit, në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.
Arritja e pakos së marrëveshjeve, përfshirë kodin e mëvetësishëm telefonik, dëshmon përkushtimin dhe seriozitetin e Republikës së Kosovës në procesin e dialogut, suksesi i të cilit do t’i ndihmojë edhe konsolidimit të mëtejshëm ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe perspektivës së saj të qartë evropiane.
