Fluksi i refugjatëve vazhdon,OKB: 3 mijë emigrantë në ditë përmes Ballkanit
3 mijë emigrantë mbrëmë kanë kaluar kufirin tonë...

Sipas UNHCR-së, transporti i emigrantëve zhvillohet pa problem, bashkëpunimi me të tjerët të përfshirë në trajtimin me krizën e refugjatëve është në nivelin e duhur, qëndrimi i policisë është korrekt, por ekziston bindja se BE-ja duhet të ndihmojë në lehtësimin e krizës së refugjatëve.
Këtë mëngjes, rreth orës 5, me një tren special u nisën nga platforma e kampit të pritjes drejt kufirit verior rreth 400 emigrantë. Treni i ardhshëm me emigrantë nga Gjevgjelia është rreth orës 20. Ata që nuk e kanë arritur trenin për Tabanoc, aktualisht transportohen me autobusë dhe taksi të cilët janë parkuar në urën e Suharekës derisa nuk tamponohet rruga qasëse.
Nga ana greke emigrantët arrijnë në grupe më të vogla se më parë, si rezultat ndoshta i policisë greke, e cila më në fund prej dje është vendosur në kufirin me Maqedoninë për të kontrolluar situatën dhe për të organizuar kalimin e tyre në vendin tonë.
Kampin e refugjatëve në Gjevgjeli e ka vizituar sot edhe deputetja gjermane, Mariluize Bek, e cila prej dje po qëndron në vendin tonë.
Por, Kombet e Bashkuara vazhdojnë të parashikojnë se numri i emigrantëve që kalojnë nëpër vendet e Ballkanit në rrugën e tyre për në pjesën veriore të Evropës pritet të arrijë në 3 mijë në ditë. Zëdhënësja e Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, Melissa Fleming, tha mbrëmë se priten afro 3 mijë persona që të kalojnë në Maqedoni çdo ditë nga Greqia, që është vendi i parë i Bashkimit Evropian ku emigrantët arrijnë nga vendet e tyre të përfshira në konflikte në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.
Greqia, ndërkohë, ka përforcuar kontrollet në kufirin e saj me Maqedoninë për të vendosur rregull gjatë kalimit të refugjatëve dhe për t’i regjistruar ata që kalojnë kufirin e saj. Rrëmujat krijoheshin për shkak të refugjatëve meshkuj që nuk dakordoheshin përse policia lëshonte fillimisht të kalojnë kufirin gratë dhe fëmijët. Tashmë kalimi i kufirit për ta po kryhet pa problem, përveç kontrolleve standarde. Pritet gjatë mbrëmjes një grumbull më i madh refugjatësh pasi 3 mijë njerëz kanë mbërritur tashmë në Greqi. (Flutura Latifi, TVM2)
