ANTI-TERRORI SPANJOLL

800 xhihadistë gati për sulme terroriste në Europë

26.08.2015 12:25

Mbi 800 ekstremistë të rekrutuar nga shteti islamik, ose që kanë lidhje me Al-Qaedën, po planifikojnë organizimin e sulmeve terroriste në të gjithë Europën...

Xhihadistët janë kthyer në kontinentin e vjetër nga zonat e nxehta të konfliktit në Irak dhe Siri dhe janë në pritje të udhëzimeve nga rrjeti që i drejton.

Një burim nga njësia anti-terror E Spanjws u shpreh për mediat, se një pjesë e të rikthyerve janë nën vëzhgim, por është e pamundur të kontrollohen të gjithë duke shtuar se këta njerëz janë të gati të bëjnë gjithçka duke qënë se janë indoktrinuar në një mënyrë të caktuar, megjithëse nuk janë të mire-stërvitur.

Ky lajm vjen pak ditë pasi u parandalua një tragjedi në trenin që udhëtonte nga Amsterdami për në Paris, ku 3 marinsa amerikanë dhe një qytetar anglez bllokuan marokenin Ayub El-Kazzani, i cili po kërcënonte personat në tren.

25 vjeçari i cili u arrestua menjëherë besohet se është një prej të rikthyerve nga zonat e konfliktit, megjithëse ai vetë deklaron se po tentonte të kryente një grabitje dhe se nuk ka lidhje me terrorizmin. Ai  është shoqëruar nga agjentët e policisë franceze në gjykatë.

Ndërkaq 14 persona u arrestuan në kuadër të një operacionit kundër rekrutuese për Shtetin Islamik të shtrirë në Spanjë dhe Marok.

Të arrestuarit besohet se ishin pjesë e një rrjeti të mirëorganizuar që dërgonte luftëtarë drejt zonave të kontrolluara nga Shteti Islamik në Lindjen e Mesme.