Eliminohet Skënderbeu, vazhdon në grupet e Ligës Europa
Përmbysja ishte një mision I vështirë që në fillim, por Skënderbeu nuk arriti as objektivin për të dalë në mënyrë dinjitoze nga Liga e Kampioneve...

Në sfidën e kthimit, kampionët shqiptarë u dorëzuan në humbjen 4-1 ndaj Dinamos së Zagrebit. Për skuadrën e drejtuar nga Mirel Josa vlejti vetëm pjesa e parë, që dhuroi spektakël.
Pa u plotësuar ende nëntë minutat e para të sfidës, vendasit kaluan në epërsi me Soudani, por ishte e shpejtë përgjigja e korçarëve.
Eskuardinja barazoi një minutë më pas, duke hapur sërish ndeshjen. Gjithsesi, shpresat e korçarëve u zvogluan sërish, kur në minutën e 15-të, Hoxhiç kaloi për herë të dytë topin pas krahëve të Shehit.
Edhe pas kësaj, nuk u dorëzuan të besuarit e Mirel Josës dhe patën edhe fatin kundër, me shtyllën që I mohoi Radasit golin e barazimit. Me këtë rezultat u mbyllën 45 minutat e para. Me rikthimin në fushë, Skënderbeu morri një asist nga Gonçalo, që la kroatët me dhjetë lojtarë pas kartonit të kuq.
Gjithsesi, skuadra e Mirel Josës nuk arriti të shfrytëzojë epërsinë numerike në minutat e mbetura, madje u detyrua të nxjerrë edhe dy herë të tjera topin nga rrjeta. Taravel vrau përfundimisht ëndrrën e korçarëve me grupet e Champions. Ndërsa dhjetë minuta nga fundi, Soudani me golin e dytë personal, vulosi kualifikimin e Dinamos së Zagrebit.
Humbja e thellë djeg në ecurinë rekord të Skënderbeut në këtë edicion të Ligës së Kampioneve, por eliminimi nuk zbeh aspak arritjen historike të skuadrës korçare.
Kjo e fundit do të luajë për herë të parë në grupet e Ligës së Europës, por për të bërë një paraqitje të mirë në këtë kompeticion, Mirel Josa dhe të besuarit e tij duhet të harrojnë shpejt humbjen e Zagrebit.
