Bekim Neziri udhëton drejt Vjenës në konferencën për Ballkanin perëndimor
Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri sot udhëtoi për në Vjenë, ku do të merr pjesë në Konferencën dyditore për Ballkanin Perëndimor...

Në këtë konferencë marrin pjesë kryeministrat, ministrat e Ekonomisë dhe të Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi, dhe Serbisë.
Gjatë ditës së nesërme, ministri Neziri do të marrë pjesë në Mëngjesin e biznesit me Top-15 investitorët më të mëdhenj austriak në Ballkanin Perëndimor, dhe do të merr pjesë në Tryezën e rrumbullakët të ministrave të Ekonomisë, me titull "Prosperiteti ekonomik dhe lidhja infrastrukturore".
Takimi dy-ditor është pjesë e procesit të Berlinit, i iniciuar vitin e kaluar nga kancelarja gjermane Angela Merkel, për të nxitur procesin e përafrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Përveç nikoqirëve, kancelarit austriak, kancelares gjermane dhe përfaqësues të lartë të BE-së, në konferencë do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Francës dhe Italisë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të qenë nikoqirë të njërit nga samitet e ardhshme, si dhe përfaqësues të Sllovenisë dhe Kroacisë, shtete që mbështesin fuqishëm procesin e përafrimit të rajonit të Ballkanit në BE.
